Në janar 2018, Kryebashkiaku Veliaj premtoi se do të rindërtojë këndin e lojërave “7 Xhuxhat” për ta shndërruar atë në një kënd modern lojërash.
Ditët e fundit, kompania e ndërtimit duket se ka përfunduar punimet e këndit dhe ka hequr gardhin rrethues. Siç dallohet dhe në fotot e mëposhtme, pothuaj e gjithë hapësira e ish-këndit të lojërave është mbuluar me beton dhe në të ka shumë pak lojëra për fëmijët. Ato janë vendosur mbi tapete bari sintetik, të cilat megjithëse në dukje mbulojnë betonin, nuk mbron dot fëmijët gjatë lojës.
Një pjesë të hapësirës dikur publike e zë hyrja dhe dalja për në parkimin nëntokësor në shërbim të kullës DownTown Albania, që po ndërtohet aty pranë. Kulla me lartësi 140 metra do të ketë 37 kate mbi tokë, 5 kate nën tokë dhe një sipërfaqe totale rreth 77 mijë metra katrorë.
Këndi i vogël i lojërave, i shumë propaganduar nga kryebashkiaku Veliaj, do të jetë thjesht hapësira para kësaj kulle, ndërsa parkimi nëntokësor, i propaganduar po prej tij, do jetë thjesht parkimi privat nëntokësor i kullës.