Kryeministri Edi Rama ka kohë që përgatitet për një situatë të tillë: të shfrytëzojë policet femra për të diskredituar protestat dhe përplasjet e qytetarëve me qeverinë e tij. Në çdo protestë, që nga dita e parë në pushtet, ai ka vënë përherë në rreshtin e parë të forcave policore policet femra.
Ato janë forca normale policore, më së shumti police të trafikut rrugor, por në mënyrë të papërgjegjshme dhe, me gjasa, në shkelje të rregullave të policisë, ato përdoren si forcat policore të rreshtit të parë në përballjen dhe kontrollin e protestave qytetare.
Të pastërvitura, të papajisura, të paorganizuara dhe të painstruktuara për përballimin e turmave e trazirave dhe të paafta për neutralizimin e elementëve që nxisin dhunë, ato, në të vërtetë, po përdoren si “mish për top” për propagandë nga Kryeministri Rama—për të kontrastuar sa më shumë dhe paraqitur në mënyrë sa më negative çdo lloj proteste dhe çdo lloj përplasje të qytetarëve me policinë.
Ndërsa përdorimi i mjeteve të dhunshme sot nga protestuesit është i dënueshëm dhe i pajustifikuar, përdorimi i policeve të reja, të papërvoja, pa aftësi dhe pa mjete për t’u përballur me turmat, duhet të hetohet, dhe drejtuesit e policisë që i pozicionuan dhe u dhanë atyre detyrat duhet të mbajnë përgjegjësi.
Përdorimi i policeve femra, dhe në përgjithësi i policëve të paspecializuar dhe pa pajisjet minimale për përballjen e turmave dhe trazirave publike, është i dënueshëm, si nga rregullat e brendshme të policisë, ashtu edhe nga ligjet e sigurisë në punë të punonjësve.
Pamjet e sotme të polices së plagosur nga kapja me dorë e një shashke zjarri dhe reagimi amator i kolegëve të saj, përveç ndjenjës së dhimbjes njerëzore për të, ishte dëshmi e një policie krejtësisht të paaftë dhe të papajisur për detyrën e saj, e cila ishte e rrezikuar nga veprime rutinë protestuesish.
Kjo praktikë cinike e drejtuesve të policisë, e bërë me synime propagandistike, por që rrezikon jo vetëm jetët e policëve, por edhe të qytetarëve protestues, duhet të ndërpritet menjëherë.
Akoma më e rëndësishme, Kryeministri Rama duhet të ndalojë së shfrytëzuari për qëllime politike punonjëset e pambrojtura të policisë.
Kryeministri Edi Rama është sot përgjegjës përpara prindërve të polices që humbi gishtat e dorës, po aq sa edhe protestuesit që hodhën shashkën në drejtim të saj. Madje Zoti Rama është përgjegjës më shumë se protestuesit: ndërsa protestuesit, me gjasa, nuk e shënjestruan policen e plagosur në mënyrë të qëllimshme, Kryeministri e përdori atë me paramendim duke e vënë qëllimisht në rreshtin e parë të përballjes me protestuesit, me shpresën tinëzare se ajo do të lëndohej nga përplasja me ta, dhe ai do ta përdorte këtë fakt për të diskredituar protestën dhe protestuesit.
Dhe kështu ndodhi. Fatkeqësisht.
Ndaj Kryeministri Rama dhe drejtuesit e policisë, që zbatojnë në praktikë planet tinëzare të Kryeministrit, nuk duhen lënë t’ia hedhin me kaq për rrezikimin për qëllime politike të jetës së policëve.