Këshilli i Evropës, tjetër alarm për censurimin e lirisë së medias nga qeveria

Këshilli i Evropës, tjetër alarm për censurimin e lirisë së medias nga qeveria

Këshilli i Europës kritikoi mbylljen e dy emisioneve kritike ndaj qeverisë, të drejtuara nga Adi Krasta dhe Ylli Rakipi.

Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, e konsideroi mbylljen e emisioneve si kërcënim nga qeveria, që ka “efekt frikësues te liria e medias”.

Qeveria deri më tani nuk ka reaguar ndaj alarmit të ngritur nga KiE.

Platforma e KiE për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve, njoftoi në mënyrë të detajuar se News24 mbylli dy emisione të njohura politike. Emisionet “Të Paekspozuarit “, nga Ylli Rakipit, dhe “Krasta / A Show”, nga Adi Krasta, të cilët ishin kritikë ndaj kryeministrit Edi Rama, u mbyllën të dy pas pretendimeve se pronarit i News24, Irfan Hysenbelliu, “u kërcënua” nga Rama dhe nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, sipas njoftimit kritik të KiE.

Gjithashtu, alarmi i KiE shpjegon se në korrik, gazetari Artur Cani deklaroi se Rama kishte takuar Hysenbelliun për t’i kërkuar largimin e tyre të menjëhershëm.

Këshilli i Europës raporton se Rakipi akuzon Ramën për mbylljen e emisionit të tij dhe ndërprerjen e kontratës për shkaqe politike.

Hysenbelliu mohoi që largimi i Krastës dhe Rakipit të kishin ndodhur për shkak të presionit nga qeveria. Gjithashtu, një zëdhënës i Ramës i konsideroi akuzat “fake news”.

Ky është rasti i katërt brenda këtij viti, që KiE ngre alarmin për mbrojtjen e gazetarëve në Shqipëri.

Rasti i parë ishte ai i gazetares së Exit, Alice Taylor, ndaj së cilës mediat pro-qeveritare ndërmorën një fushatë denigruese, pas raportimit të saj në media ndërkombëtare lidhur me përgjimet e vjedhjes së zgjedhjeve dhe protestat kundër qeverisë. Në vijim, qeveria nuk i rinovoi asaj lejen e qëndrimit në Shqipëri, vendim që u kundërshtua nga Avokati i Popullit.

KiE ngriti alarmnin e dytë kur policia sulmoi gazetarë dhe fotografë gjatë protestave antiqeveritare në qershor. Punonjësit e mediave pësuan dëmtime nga gazi lotsjellës, dhe fotografi Arben Dajçi u godit në kokë me një shkop metalik, që i la atij një plagë të madhe në kokë.

Alarmi i tretë në platformën e KiE për mbrojtjen e gazetarëve erdhi pas propozimit të qeverisë Rama të projektligjeve që censurojnë median, të cilat Rama i quan “paketa anti-shpifje”.

KiE dhe organizatat më të mëdha të gazetarëve në botë kanë arritur në përfundimin se këto ligje do të rrisin censurën, pasi parashikojnë gjoba deri në 830 mijë euro për shkelje të “dinjitetit dhe privatësisë” të një qytetari.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>