Këshilli Politik ka përfunduar takimin që pritej të ishte i fundit, pa dakordësi në lidhje me rikompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Anëtari socialist i këtij Këshilli, Damian Gjiknuri akuzoi opozitën se kërkon një KQZ thuajse të njëjtë me atë ekzistuese, ndryshe nga sa ranë dakort në marrëveshje.
“Ne mund të gjejmë kompromis brenda parimeve që kemi rënë dakort. Nëse PD kërkon KQZ me mandate politike, atëherë le të mbajmë KQZ ashtu si është.” – tha Gjiknuri.
Oerd Bylykbashi njoftoi se opozita ka propozuar përzgjedhjen e antarëve të strukturës së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përmes formulës së përdorur për zgjedhjen e antarëve të organeve të reja të drejtësisë.
“Kjo formulë garanton shqyrtim të pavarur për përputhshmërinë e integritetit profesional për të ushtruar detyrën në KQZ. Kjo u kundërshtua nga mazhoranca pa arsyetim. I dhamë kohë ta studiojnë propozimin tonë.” – tha Bylykbashi.
PD dhe LSI gjithashtu kanë kërkuar përfshirjen e procedurës së tenderimit për identifikimin biometrik në Kodin Zgjedhor. Kjo është kundërshtuar nga Damian Gjiknuri por për këtë Këshilli Politik ka kërkuar mendimin e Agjencisë së Prokurimit Publik për këtë.