Tryeza katërpaleshë për Reformën Zgjedhore do të rinisë sot diskutimet. Bashkëkryetarët e Komisionit për reformën, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari do të diskutojnë me përfaqësuesit e opozitës jashtë parlamentit Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili.
Takimi u kërkua nga opozita, e cila u shpreh se ka kryer misionin e saj duke dhënë propozime konkrete dhe tani është në dorë në shumicës socialiste që të tregojë vullnet për reformën.
Pritet që debati për reformën të jetë i tensionuar pasi më 7 maj, Rudina Hajdari akuzoi si qeverinë ashtu dhe opozitën se nuk duan ta ndryshojnë sistemin zgjedhor, pavarësisht deklaratave publike se janë pro ndryshimit.
Në një intervistë për OraNews, Hajdari tha se si shumica socialiste, ashtu dhe opozita fillimisht thonë se janë dakord për ndryshimin e sistemit, pastaj ndërrojnë mendje.
Reforma zgjedhore duhet të ishte miratuar deri më 15 mars, por puna për të u ndalua pas masave kufizuese të miratuara nga qeveria në krizën e koronavirusit.
Tani duket se afati i ri për miratimin e reformës është qershor. Më 4 maj, Damian Gjiknuri kërkoi dhe mbështetjen e SHBA-ve për vazhdimin e diskutimeve dhe përfundimin e reformës zgjedhore brenda qershorit.