Këshilli i Medias Shqiptare shprehu shqetësimin për mënyrën se si është raportuar përdhunimi i 15-vjeçares nga media të caktuara.
Organizata tha se në raste të tilla delikate, media duhet të jetë e kujdesshme në raportimin e ngjarjes, veçanërisht kur viktima është e mitur. Media, shtuan ata, luan një rol vendimtar në mbrojtjen e privatësisë të të miturve, dhe zbulimi i detajeve të tyre personale mund të ndikojë negativisht në të ardhmen e tyre.
Pas lajmeve të përdhunimit, disa media publikuan emrin e vajzës. Ata gjithashtu zhvilluan intervista me familjarë dhe njerëz nga lagja e saj në Tiranë. Disa nga këto intervista u kryen pranë shtëpisë së saj.
KMSH deklaroi se media nuk duhet të botojë kurrë emrin e shkollës që fëmija ndjek, ose emrin e zonës ku banon. Kjo rezulton që ato të jenë lehtësisht të identifikueshme dhe është shkelje e privatësisë të tyre. Publikimi i emrit të shkollës gjithashtu sjell reagim negativ për fëmijët e tjerë që e ndjekin atë.
Ata shtuan se media kurrë nuk duhet të identifikojë prindërit e fëmijës qoftë në formë të shkruar, verbale, apo vizuale. Kjo shkel anonimitetin dhe të drejtën e tyre për privatësi, edhe nëse prindi ose anëtarja e familjes pranojnë të intervistohen.
“Media duhet të mbrojë interesat më të mira të fëmijës së abuzuar dhe t’i mbulojë këto intervista / deklarata duke fshehur identitetin e tyre,” tha KMSH në një deklaratë.
Në raste të tilla, vëmendja e gazetarëve dhe e publikut duhet të drejtohet te incidenti, dhe jo drejt detajeve siç janë informacionet personale.