Këshilli i Europës i bën thirrje qeverisë shqiptare të parandalojë vijimin e dhunës policore, si dhe të respektojë të drejtën për protestë paqësore.
Në një deklaratë publike komisionerja për të drejtat e njeriut, Dunja Mijatovic kërkoi vetëpërmbajtje në reagimin ndaj protestuesve si dhe sigurimin e një hetimi të plotë, transparent dhe të pavarur të akuzave për përdorim të tepërt të forcës nga ana e policisë.
Ajo theksoi se përdorimi dispropocional i forcës është raportuar edhe në rastin e protestave të tjera në Shqipëri përgjatë këtij viti, duke i’u referuar protestave kundër shembjes së Teatrit Kombëtar.
“Masat e marra në parandalimin e përhapjes së Covid-19 nuk i japin autoriteteve “dorë të lirë” në përdorimin e forcës kur mbikqyrin protesta”, tha komisionerja.
Autoritetet duhet të respektojnë rregullat e propocionalitetit dhe domosdoshmërisë në çdo rrethanë, ndaj ndalimi në parim i çdo demonstrate publike dhe shpërndarja e qytetarëve me arsyen e vetme se kanë shkelur rregullat e ndalim-qarkullimit, pa konsideruar masa më të lehta, nuk duhet të ndodhë.
Komisionerja Mijatovic gjithashtu i kërkoi policisë të bëj dallim mes individëve të përfshirë në dhunë gjatë protestës, dhe protestuesve paqsorë. Arrestimi i të miturve duhet të konsiderohet si masa më e fundit për t’u ndërmarrë nga policia.
Kjo e fundit duhet të trajnohet në mënyrë të veçantë për trajtimin e protestuesve, deklaroi komisionerja e këshillit të Europës.
Në përfundim komisionerja i bën thirrje autoriteteve të përshpejtojnë lirimin e protestuesve të tjerë paqsorë të cilët janë ende të ndaluar.