Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim i kërkoi Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të mblidhet dhe të dërgojë drejt Kuvendit e Presidentit listën përfundimtare me kandidatët për Gjykatë Kushtetuese.
Përmes një postimi në Twitter, Kim shkruan se nuk ka asnjë arsye që GJK të mos jetë funksionale brenda 31 dhjetorit.
“KED duhet të mblidhet këtë javë, të përfundojë vlerësimin dhe të dërgojë listën e kandidatëve drejt Presidencës dhe Kuvendit. Proceset duhet të respektohen por jo të abuzohen. Nuk ka asnjë arsye praktike që GJK të mos jetë funksionale brenda 31 dhjetorit. Është çështje vullneti. Liderët duhet të tregojnë vullnetin e tyre të vërtetë.”
Këtë deklaratë të Kim e mbështeti dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca. Përmes një postimi në Twiter, ai shkruan se është kritike përfundimi i vlerësimit të kandidatëve nga KED për Gjykatën Kushtetuese.
Ai thekson se funksionimi i saj është kusht thelbësor për hapjen e negociatave.
“Është me të vërtetë thelbësore që KED të përfundojë provcesin e rivlerësimit të kandidatëve për vendet vakante në GJK, duke marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias. Garantimi i funksionalitetit të gjykatës është kusht kryesor për nisjen e bisedimeve për në konferencën e parë ndërqeveritare”
Për në GJK KED ka kualifikuar 3 kandidatë:
- Sonila Bejtja
- Aleksandër Toma
- Altin Binaj
Ndërkohë Apeli Administrativ ka rikthyer në garë sot Zhaklina Peton, duke shfuqizuar vendimin e KED për përjashtimin e saj nga gara.