Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim i është përgjigjur deklaratave të Kryeministrit Edi Rama në lidhje me pastërtinë e figurave të kandidatëve për deputetë.
Përmes një postimi në Twitter, të mërkurën Kim shprehet se partitë politike duhet të pastrojnë listat sepse e kërkon ligji shqiptar. Ajo shton se kjo është thelbësore për një vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për BE.
“Drejtuesit e partive nuk duhet të pastrojnë listat e tyre thjesht sepse disa ambasadorë thonë kështu ose sepse SHBA e kanë bërë të qartë se lufta ndaj korrupsionit është prioritet. Ata duhet ta bëjnë këtë sepse kërkohet nga ligji shqiptar, është ajo që pritet nga një vend aleat i NATO-s dhe aspirant i BE-së, dhe kjo është një shenjë themelore e respektit për votuesit”
Të martën, kryeministri Rama pohoi se vetdeklarimi i kandidatëve për deputetë është përgjegjësi personale dhe jo e partisë.
Ligji i Dekriminalizimit, miratuar në fund të vitit 2015, ndalon kandidimin dhe zgjedhjen në poste publike të personave me të dënuar me vendim të formës së prerë për rreth 80 vepra penale.
Partia Socialiste ka rezultuar si partia më e goditur nga ky ligj, pasi një sërë deputetësh dhe kryebashkiakësh të saj u shkarkuan nga KQZ-ja, për të shkuarën kriminale.
Pavarësisht kësaj, Kryeministri Rama dhe Partia Socialiste kandiduan në zgjedhjet e 30 qershorit 2019 të paktën 5 kandidatë të verifikuar ose të akuzuar deri më tani se janë në shkelje të këtij ligji, pasi kanë fshehur dënimet e marra në të shkuarën.
Exit News ka bërë një përmbledhje të plotë këtu:
- Valdrin Pjetri i Shkodrës;
- Agim Kajmaku i Vorës;
- Mark Babani i Vaut të Dejës;
- Qerim Ismailaj i Mallakastrës;
- Agron Malaj i Matit.