Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim ka falenderuar presidentin Meta për emërimin e anëtares së 7-të të Gjykatës Kushtetuese.
Kim vlerëson punën e Presidentit, Parlamentit dhe KED në bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese në përgjigje të “opinionit të Venecias, kushtit të BE dhe kërkesës së popullit shqiptar”
“Faleminderit Presidentit Ilir Meta për dekretimin e kësaj mbrëmje të gjyqtarit të 7-të të Gjykatës Kushtetuese. Duke vepruar së bashku me urgjencë – në përgjigje të drejtpërdrejtë të opinionit të Venecias, kushtit të BE dhe kërkesës së popullit shqiptar – Presidenca, Parlamenti dhe KED, kanë bërë Gjykatën Kushtetuese funksionale para datës 31 dhjetor”
Ambasadorja thekson se duhen plotësuar të gjitha vendet në gjykatë dhe nxit kandidatët e kualifikuar që të aplikojnë.
“Presidenti, Parlamenti dhe KED meritojnë vlerësim për arritjen e kuorumit plus 1, por nuk mund të ketë pushim derisa të plotësohen të 9 vendet. Puna duhet të vazhdojë në vitin e ri. Ne i nxisim kandidatët e kualifikuar t’i përgjigjen thirrjes për këtë detyrë, në mënyrë që shqiptarët të kenë drejtësi të vërtetë, siç i përshtatet një vendi anëtar të NATO-s dhe spirant për në BE”
Sonila Bejtja u dekretua të hënën nga presidenti Meta si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Numri i anëtarëve të emëruar tani është 7 dhe mungojnë vetëm 2 të tjerë nga 9 që ka gjithësej Gjykata.
Sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese, që ajo të marrë një vendim duhet të votojnë të paktën 5 anëtarë pro.