Kim presion Këshillit Politik: Vetë premtuat reformë deri më 31 maj, mbani fjalën

Nga Exit News
Kim presion Këshillit Politik: Vetë premtuat reformë deri më 31 maj, mbani fjalën

Ambasadorja amerikane Yuri Kim i ka bërë thirrje shumicës socialiste dhe opozitës që të mbyllin sa më parë Reformën Zgjedhore, pasi afati i vënë nga vetë ata ka përfunduar.

Në një postim në Twitter, Kim shkruan:

“Të gjitha palët kanë lëvizur dhe kanë treguar se janë shumë afër. Ju vendosët një synim, ju vendosët afatin në 31 maj.

Tani është koha të ndalni së këmbënguluri në pozicione të pazbatueshme dhe/apo vendosje kushtesh të reja. Është koha të mbani fjalën ndaj popullit shqiptar. Është koha të jepni rezultat.”

Me reagimin e saj, Kim lë të kuptohet se kanë qenë vetë palët që kanë vendosur afatin e 31 majit për përfundimin e reformës, ndaj duhet ta respektojnë: si fillim kjo datë u propozua nga PD-ja dhe nuk u kundërshtua nga shumica apo Këshilli Politik.

Megjithëse është e paqartë se për çfarë ‘kërkesash të parealizueshme’ flet ambasadorja, duket se ajo nënkupton kërkesat e PD-së për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje: identifikimin, votimin, numërimin elektronik.

Deri në mbrëmjen e 31 majit, Këshilli Politik nuk gjeti dakordësinë për reformën dhe pritet të vazhdojnë bisedimet përtej afatin.

Sipas deklaratave të Bylykbashit dhe Gjiknurit, opozita ka pranuar kushtin e panegociueshëm të shumicës: depolitizimin e komisioneve të administrimit zgjedhor.

Ndërsa shumica socialiste nuk ka pranuar kushtin e panegociueshëm të opozitës:  përdorimin e teknologjisë në zgjedhje. identifikimin, votimin dhe numërimin elektronik.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>