Ambasadorja amerikane Yuri Kim deklaroi, të shtunën, se procesi i vetingut duhet të vazhdojë pavarësisht pengesave.
Duke postuar në Twitter një foto nga takimi i të premtes me anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ambasadorja shkruan:
“Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka punë të vështirë, por vetingu duhet të vazhdojë të tregojë përgjegjshmëri dhe të fitojë besimin e shqiptarëve.
SHBA mbështet reformën në drejtësi. Le të vazhdojmë përpara, hap pas hapi, pa marrë parasysh pengesat.”
Takimi i Kimit me KPA-në u bë pas pezullimit nga detyra të anëtarit të KPA-së Luan Daci. Ai akuzohet për fallsifikim dokumentash, pasi ka fshehur shkarkimin nga detyra e gjyqtarit në vitin 1997.
Gjykata e Posaçme vendosi të premten të shtyjë seancën për Dacin.
Exit News, në një shkrim, ka argumentuar se të gjithë deklaratat e ambasadores Kim, ditët e fundit, për ‘komplot ndaj reformës në drejtësi’ dhe ‘vazhdimin me çdo kusht të vetingut’, kanë lidhje me pezullimin e Dacit nga detyra.
Nëse Daci shpallet fajtor dhe dënohet, të gjitha vendimet e vetingut ku ai ka qenë pjesë bëhen të pavlefshme e duhet të ribëhen—jurisprudenca e GJENDJ ka vendosur se ligjshmëria e një procesi është e cënuar nëse gjyqtari, i cili ka dhënë vendimin, është zgjedhur në mënyrë të paligjshme.
Kjo do të dëmtonte rëndë jo vetëm procesin e vetingut, por gjithë ecurinë e reformës në drejtësi, kaq shumë të mbështetur nga SHBA-të.