Mijëra ton mbeturina në Amerikë po depozitohen në landfille, pasi Kina, vendi ku ato dërgoheshin për riciklim, ka shtrënguar ligjet e importit të plehrave. Ky lajm është zhgënjyes jo vetëm për konsumatorët e ndërgjegjshëm për mjedisin, por është gjithashtu një problem për kompanitë amerikane të menaxhimit të mbeturinave, veçanërisht ato në shtetet perëndimore.
Amerikanët riciklojnë rreth 66 milionë ton materiale çdo vit, dhe rreth një e treta e këtij materiali eksportohet, sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit. Deri më tani Kina ka qenë destinacioni kryesor për dërgimin e mbetjeve, që më pas riciklohen dhe përdoren për prodhim energjie.
Në vitin 2016, Kina përpunonte të paktën gjysmën e eksporteve botërore të letrave, metaleve dhe plastikës së përdorur – 7,3 milion ton, për të qenë të saktë. Por gjithçka ndryshoi me ndryshimin e ligjeve të importit të mbetjeve në Kinë, si pjesë e një fushate kundër ndotjes.
Në listën e materialeve fillimisht u përfshinë 24 materiale, duke përfshirë materialet e mbeturinave të tekstilit dhe letrat e mbeturinave të paklasifikuara, ndërsa tani numërohen 32 lloje materialesh. Përveç moratoriumit, Kina ka shtrënguar dhe standardet e saj të cilësisë për materialet që vazhdojnë të pranohen.
Që kur ligji hyri në fuqi në janar, mijëra ton mbetje nga Amerika të destinuara për riciklim janë dërguar në landfille. Në dy muajt e parë të vitit, eksportet e mbetjeve amerikane në Kinë kanë rënë me rreth 35 për qind.
Ironikisht, ky ligj që synon mbrojtjen e ambientit dhe uljen e ndotjes, mund të kontribuojë në rritjen e ndotjes në Kinë, pasi prodhuesit kinez që dikur përdornin mbetjet amerikan tani duhet të gjejnë materiale të reja, duke përfshirë dhe material që lëshojnë gazra serrë gjatë procesit të djegies.