Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen për rikonstruksionin e Piramidës, me kërkesë të Bashkisë Tiranë.
Kryebashkiaku Veliaj ka premtuar prej vitesh rikonstruksionin dhe ndryshimin e funksionit të Piramidës, por vetëm tani KKT-ja ka dhënë lejen për të.
Ndryshimi i pronësisë së Piramidës dhe heqja e statusit ‘monument kulture’
Për të lehtësuar sa më shumë vendimmarrjen për Piramidën, Qeveria Rama kaloi pronësinë e saj nga qeveria, Ministria e Kulturës, tek Bashkia Tiranë.
Ky vendim i qeverisë e bën më të lehtë vendimarrjen për ndryshim e statusit dhe rikostruktimin e Piramidës. Nëse më parë vendimmarrja për këtë objekt duhej të kalonte në Këshillin e Ministrave tani ajo mbetet vetëm në dorë të kryetarit të Bashkisë.
Hapi i parë, në prill 2017, ishte heqja e Piramidës si pjesë e qendrës historike të Tiranës, duke i hequr asaj mbrojtjen si monument kulture.
Pastaj në dhjetor 2017, Këshilli i Ministrave transferoi pronësinë e ndërtesës dhe të tokës nga qeveria tek Bashkia Tiranë. Për shkak të ndryshimit në statusin dhe pronësinë e Piramidës, do të kishte më pak mbikëqyrje.
Me VKM-në e dhjetorit 2016, përcaktohej se “Piramida” do të përdoret nga Bashkia e Tiranës si “një qendër multifunksionale për organizimin e shfaqjeve sociale dhe për promovimin e artit, kulturës dhe teknologjisë.”
Planet e Bashkisë për rikonstruksionin e Piramidës
Kryebashkiaku Veliaj ka premtuar se Piramida ‘do të transformohet në një nga qendrat më të mëdha të inovacionit dhe teknologjisë, artit e kulturës, në rajon.’
Projektin për rikonstruksionin e saj e ka bërë arkitekti i preferuar i Ramës, Winy Maas.
I gjithë procesi është bërë në mungesë të plotë transparence dhe me manovra për të shmangur tenderimet publike dhe garën.
Në janar 2017, arkitekti holandez i MVRDV, Winy Maas, mori pjesë në një diskutim nga Bashkia Tiranë organizuar tek Piramida për planet për rikonstruksionin e Piramidës.
Në qershor 2018, u bë publik lajmi se MVRDV “mori” tenderin për rindërtimin e Piramidës pa ndonjë konkurs publik apo tender.
Në faqen zyrtare të firmës MVRDV ishte shënuar qartë se projekti i Piramidës ishte projekt për Bashkinë e Tiranës (domethënë, një projekt publik që duhet t’i nënshtrohet ligjeve të prokurimit publik) për një “shumë të pazbuluar” parash. Kjo është dukshëm në kundërshtim me ligjin, pasi shuma e parave duhet të ishte bërë publike.
Siç Exit News ka shkruar më parë, zgjidhja e këtij “problemi”, pra detyrimit për garë publike, ishte ndryshimi i klientit nga Bashkia Tiranë në Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), një fond privat që nuk i nënshtrohet legjislacionit të prokurimit publik shqiptar, duke hequr tërësisht çdo referencë në kosto. Kështu projekti tani shfaqet në faqen e internetit të MVRDV-së me klient AADF-në.
Në maj 2018, Veliaj prezantoi, bashkë me Ramën dhe AADF-në, projektin e Piramidës dhe tha se ajo do të përdoret për fëmijët dhe të rinjtë do të mësojnë të kodojnë:
“Në Tiranë do të fillojmë të kodojmë, të merremi me robotikë, me inteligjencë artificiale, softëare design nga mosha 5 vjeç deri 35 apo 45 vjeç.
Ideja është që të shkohet në një vend të bukur, jo në një tjetër shkollë ku dikush shkon me detyrim se do marrë një notë, por në një hapësirë që është jo vetëm në zemër të qytetit, por që është edhe xhavahiri më i çmuar i qytetit.”
Prej 2 vitesh tashmë nuk dihet më asnjë e dhënë tjetër për projektin që do të transformojë Piramidën: sa do të kushtojë rikonstruksioni, sa para do të përdoren nga buxheti i bashkisë, nëse do të ketë tenderim publik apo nëse bashkia do të përdorë sërish makinacione për të shmangur konkurrencën dhe përzgjedhur ‘klientët e zakonshme’.