Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar lejen për ndërimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, sipas kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Vendimi i KKT – i cili kryesohet nga kryeministri Rama – vjen ndërkohë që Gjykata Kushtetuese pritet të japë vendim mbi ligjshmërinë e procesit të ndjekur për prishjen e godinës së vjetër të Teatrit.
Në Facebook Veliaj shkruan se projekti i godinës së re është i studios BIG të Bjarke Ingels.
Formalisht ky projekt është porositur nga firma Fusha shpk tek firma BIG, bashkë me projektin për kullat e larta tregtare që do të ndërtoheshin fillimisht ngjitur me godinën e teatrit.
Ky projekt dështoi pas kritikave nga BE dhe Presidenca se ai procesi shkelte parimet e “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”.
Pas prishjes së ndërtesës më 17 maj 2020, Veliaj deklaroi në publik se Fusha ia kishte falur Bashkisë projektin e Ingles.
Në korrik 2020, Bashkia shpalli fituese të tenderit për projektimin dhe studimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar kompaninë A&E Engineering. Vlera e tenderit ishte 500 mijë euro.
Ndërkohë ende nuk është e qartë se sa do të kushtojë ndërtimi i Teatrit dhe kush do ta financojë atë.
Një javë më parë qeveria i ka kaluar një fond prej rreth 7,3 milionë euro Bashkisë Tiranë për “ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar”.
Është e paqartë se çfarë pjese të kostos së ndërtimit do të mbulojë ky fond. Gjendjen e bën edhe më të paqartë ndryshimi i shpeshtë i deklarimeve të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në lidhje me këtë çështje.
Në maj 2020, në një intervistë për Euronews, Veliaj u shpreh se “vlera e teatrit të ri Kombëtar të arrijë në 30 milionë euro, shumë e cila do të sigurohet me kredi”. Ai u shpreh se kredia do të merrej nga banka tregtare dhe informoi se “ishin ofruar 17 banka dhe do të zgjidhej njëra prej të cilëve do të kërkojë nisjen e pagesës në vitin 2025”.
Më pas, në nentor 2020, Veliaj i kërkoi Kuvendit ta ndërtojë teatrin me apra buxhetore duke kërkuar që nga buxheti i shtetit i vitit 2021 rreth 36 milionë euro për këtë qëllim.
Ndërsa në maj 2021, në një koment për gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung, Bashkia Tiranë informoi se puna për ndërtimin e Teatrit Kombëtar do të nisë këtë verë, financuar nga një hua të marrë nga Fondi i Abu Dhabit.
Presidenca ka kërkuar shfuqizimin e vendimit për kalimin e truallit nga Ministria e Kulturës tek Bashkia Tiranë dhe vendimin e Këshillit Bashkiak për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
Gjykata Kushtetuese ka përfunduar shqyrtimin e çështjes më 16 qershor por ende nuk ka dalë me një vendim.
Ndërkohë KKT, e cila kryesohet nga Kryeministri Rama ka dhënë miratimin për ndërtimin e godinës së re të Teatrit, pas më shumë e një viti nga prishja e godinës së vjetër.