Nga Lindja në Perëndim, përveç konflikteve gjeopolitike, në shumë raste, feja është faktor ndarës i shoqërive, duke vështirësuar bashkëjetesën mes tyre. Shqipëria, ky komb i vjetër evropian, deri tani mbetet shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare, por fatkeqësisht ka një problem tepër të madh me politikën, më saktësisht me klasën e saj politike, e cila çdo ditë përçan qytetarët dhe shuan shpresat e tyre për një jetë më të mirë.
Me gjithë ndërhyrjen e diplomatëve evropianë dhe amerikanë, Shqipëria vazhdon të shquhet për politikën e saj të rrëmujshme e të çorientuar, e cila i ngjan më shumë një kopje të keqe se sa një modeli të vërtetë politik perëndimor. Politikanët shqiptarë gjithmonë kërkojnë t’i vënë pengesa përparimit e zhvillimit të vendit, me qëllim për të qëndruar sa më gjatë në karriget politike për të ngopur egot e tyre.
Është interesante të analizosh sjelljen e kandidatëve para dhe pas zgjedhjeve politike. Gjatë fazës parazgjedhore, ata sillen si “engjëj” të vërtetë, të cilët i duan të mirën popullit, por në fazën paszgjedhore demonët e tyre të vjetër rishfaqen—ata heqin maskat dhe bëhen “djaj”. Harrojnë premtimet elektorale, shpërfillin qytetarët dhe i mbajnë ata larg jetës politike dhe çdo diskutimi publik në lidhje me projekte madhore apo çështje që prekin interesat e shoqërisë civile.
Divide ut imperes është formula e zbatuar në mënyrë perfekte nga politikanët në Shqipëri. Politika është përhapur në të gjithë shoqërinë, si në shtresën e varfër dhe atë të pasur, si tek njerëzit e thjeshtë dhe intelektualët, si në mjedisin privat edhe atë publik. Klasa politike postkomuniste, sikurse ajo komuniste para saj, ka arritur të depërtojë në familjet shqiptare, nga qytetet e mëdha deri në në fshatrat më të izoluar. Qëllimi i saj është sigurimi i votës dhe krijimi i një lloj vartësie politike, e cila u mundëson atyre të manipulojnë më lehtë qytetarët.
Në disa raste, politikanët shqiptarë shkojnë më tej në mendimet e tyre politike. Pak javë më parë, drejtues të një partie në pushtet deklaruan se vinin partinë e tyre mbi Shqipërinë. Këto deklarata tregojnë qartësisht dëmin që krijon politika në një shoqëri ende në tranzicion. A mund të ketë Shqipëria një të ardhme të sigurtë, kur klasa politike udhëheqëse mban apo toleron të tilla qëndrime? A mund të kihet besim në udhëheqësa të tillë dhe a duhet që shqiptarët të vazhdojnë t’i mbështesin?
Përsa i përket udhëheqësve të lartë politikë, media u bën shpesh jehonë akuzave për korrupsion, krime apo abuzime me pushtetin, por si zakonisht, asnjeri nuk dënohet. Duket sikur sistemi policor dhe gjyqësor janë të “paralizuar”, domethënë të paaftë të reagojnë ndaj politikanëve.
Çfarë mund të thuhet për seancat e të enjtes në Kuvend, vend i cili është transformuar prej kohësh në një teatër të komedianëve “të talentuar”, në një cirk kllounësh, ku pjesëmarrësit “shquhen” vetëm për skenat e turpshme të komunikimit. Aty, deputetët, të cilët kanë në dorë fatin e popullit, prodhojnë debate sterile, flasin por nuk dëgjojnë, shahen dhe akuzohen me njëri me tjetrin për çështje nga më të rëndat, pa propozuar apo gjetur rrugëzgjidhje për premtimet që janë votuar.
Si rrjedhojë, populli shqiptar, edhe pse e ka votuar apo rivotuar ndër vite këtë klasë politike, mbetet viktima e saj. Shqiptarët nuk e kanë gjetur akoma antidotin i cili do t’i shpëtojë nga helmi apo virusi i kësaj lloj “specie” politikanësh. Si në gjithë hsitorinë e tyre ata ende duhet të shpresojnë që vendi të gjejë një ditë një udhëheqës politik që do t’i dojë dhe do t’i motivojë, që të krijojë besim në popull, dhe që do të ketë vullnetin e plotë për t’a nxjerrë atë nga situata në të cilën ndodhet.