Sot deputetët do të diskutojnë në parlament ndryshimet në Ligjin 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Gjatë një seance të jashtëzakonshme, deputetet do të votojnë për disa ndryshime të ligjit që në mënyrë të përkohshme do të transferojë kompetencën për të emëruar të diplomuarit nga shkolla e Magjistraturës në gjykata e prokurori, nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe i Prokurorisë tek Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) dhe Prokurori i Përgjithshëm.
Pra, sipas këtij projektligji, për sa kohë KLGJ e KLP nuk janë formuar akoma, të drejtën për të emëruar gjyqtarë e prokurorë do ta ketë institucionet aktuale të drejtësisë.
Sikurse e kemi shpjeguar më parë, për arsye të vonesës së reformës në drejtësi, të diplomuarit nga Shkolla e Magjistraturës nuk mund të emërohen në pozicione të reja. Gjithashtu, as Shkolla e Magjistraturës nuk hap dot konkursin për pranimine studentëve të rinj për vitin e ardhshëm akademik. Ndryshimet e propozuara nga Kryetari i Komisionit të ligjeve Ulsi Manja, do t’i mundësojë Shkollës së Magjsitraturës të pranojë 25 studentë për vitin 2018-2019 dhe 50 studentë për vitin 2019-2020.
Ndër 34 gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët i janë nënshturar procesit të vetingut, rreth 20 për qind e tyre u shkarkuan. Rreth 800 magjistratë duhet t’i nënshtrohen vetingut, dhe po të supozojmë se do të vahdojë i njejti trend, të paktën 160 magjistratë do të duhet të zëvendësohen deri më 2021, kur mendohet të përfundojë vetingu. Ndaj, sërish numrat e propozuar në ndryshimet e ligjore sërisht nuk do të mund të plotësojnë vendet vakante.
Nuk është e qartë nëse amendamenti, i cili ka nevojë për një shumicë prej 3/5 e votave (84 vota), do të kalojë. Shumica socialiste bashkë me PDIU-në kanë aktualisht 79 vota në parlament, kështu që do të duhet të paktën 5 vota nga opozita.