Klement Balili nuk mund të ekstradohet, do gjykohet nga gjykata shqiptare

Klement Balili nuk mund të ekstradohet, do gjykohet nga gjykata shqiptare

Klement Balili, i vetëdorëzuar sot në polici dhe në kërkim prej policisë greke, nuk do të ekstradohet drejt Greqisë.

Kjo për faktin se mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka marrëveshje esktradimi, kusht i nevojshëm për të lejuar estradimin e të arrestuarve, i përcaktuar në Konventën Europiane e Ekstradimit, Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës.

Neni 6, pika 1 e Konventës Europiane të Ekstradimit parashikon:

“Çdo palë kontraktuese do të ketë të drejtë të refuzojë ekstradimin e shtetasve të vet.”

Nenit 11 i Kodit Penal parashikon:

“Ekstradimi nuk lejohet: a) në qoftë se personi që do të ekstradohet është shtetas shqiptar, veç rasteve kur në marrëveshje është parashikuar ndryshe.”

dhe neni 491 i Kodit të Procedurës Penale parashikon:

“Nuk mund të jepet ekstradimi:
f) kur personi i kërkuar është shtetas shqiptar dhe nuk ka marrëveshje që të parashikojë ndryshe.”

Balili akuzohet nga prokuroria greke për trafik ndërkombëtar droge si pjesë e një grupi kriminal. Në vitin 2016 shteti grek e shpalli Balilin në kërkim pas vendimit të Gjykatës së Athinës, e cila kërkoi arrestimin e tij. Në atë kohë Balili ishte Drejtor i Drejtorisë së Transportit Rrugor Sarandë, ndaj Greqia i bëri kërkesë me shkrim policisë shqiptare për ta arrestuar atë.

Duke qenë se Balili nuk mund të ekstradohet në Greqi, ai do të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda shqiptare. Këtë fakt e ka konfirmuar dhe Ministri i Brendshëm Lleshi, i cili deklaroi sot se në këmbim të vetëdorëzimit, shteti shqiptar i ka ofruar Balilit “një proces të drejtë ligjor”.

Kjo nuk është hera parë që gjykata shqiptare gjykon vepra penale të rënda kryera jashtë vendit, vetëm për shkak të mungesës së marrëveshjeve të ekstradimit. Rasti më i shquar është ai i ish-deputetit Mark Frrokut.

Mark Frroku u dënua 10 vjet burg, në mungesë, nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Belgjikës për vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti në vitin 1999,

Ai i shpëtoi arrestimit në Belgjikë, erdhi në Shqipëri ku hapi disa biznese dhe u bë deputet.

Në vitin 2015, Belgjika lëshoi urdhër ndërkombëtar arresti për Frrokun, por Interpol Tirana e fshehu për dy muaj urdhërin.

Pas zbulimit të skandalit të fshehjes së urdhër arrestit, në 30 mars 2015, Ministria e Drejtësisë iu përgjigj autoriteteve belge se ajo nuk mund ta ekstradonte Frrokun, pasi nuk ka marrëveshje ekstradimi mes dy vendeve. Ndërkohë prokuroria vendosi ta ndiqte çështjen e tij në Shqipëri, duke kërkuar me këtë rast edhe dokumentacionin përkatës nga Belgjika.

Frroku u arrestua më 2 prill 2015 për akuzën e vrasjes në Belgjikë. Pas një procesi të zvarritur, në prill 2017, ai u shpall i pafajshëm për vrasjen në Belgjikë, nga Gjykata e Krimeve të Rënda për mungesë provash.

Gjatë hetimeve për vrasjen, prokuroria gjeti prova dhe kërkoi dënimin e Frrokutpër “fshehje të pasurisë” “pastrim parash”  dhe “ndërtim të paligjshëm”. Për këto akuza, Frroku u dënua nga gjykata e Tiranës me shtatë vjet e gjashtë muaj dhe pas tre viteve burg, u lirua me kusht nga gjykata e Fierit për sjellje të mirë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>