Fetë, të akuzuara nga Marksi si opium i popujve, duket se në Shqipëri janë vetë viktima të një opiumi: atij të pushtetit. Teksa vendi është duke rënë me shpejtësi nga autokracia në diktaturë, fetë, viktimat më të mëdha të diktaturës komuniste, spikasin me letargjinë e tyre.
A mos ato janë tashmë viktimat e para të diktaturës?
Natyrshëm do të duhej të kishte ndodhur krejt ndryshe. Liria e besimit dhe shfaqjes publike të ritualit ishte liria e fundit që u shkel nga pushteti komunist. Kur mijëra xhami, kisha dhe teqe u prishën në vitin 1967, liria e fjalës, prona private, tregu i lirë dhe liritë politike ishin harruar. Jo rastësisht, ky vit shënon edhe përfundimin e procesit të kooperativizimit të tokës. Por, si në një simetri hyjnore, liria e besimit ishte edhe liria e parë që u rikthye në 1990-n.
Në Shqipërinë e Edi Ramës, zëri i feve nuk dëgjohet thuajse fare. E mbetur pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, pa Prokurori të Përgjithshme, pa Parlament, pa zgjedhje dhe së shpejti edhe pa President, Shqipëria duket se ka mbetur edhe pa fe. Nëse do të përjashtojmë disa deklarata të barazlarguara të Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë, komunitetet e tjera fetare nuk e kanë parë me rëndësi të thonë të vërtetën e pikiadës drejt diktaturës.
Në këtë përgjumje spikat veçanërisht ajo e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Ky institucion, që pretendon se udhëheq shpirtrat e shumicës së shqiptarëve, në mënyrë të vazhdueshme ka zgjedhur të mos ‘përzihet’ në çështje që përcaktojnë të ardhmen e shoqërisë. Asnjë fjalë nga drejtuesit e jetës fetare myslimane ndaj kanabizimit të territorit, shit-blerjes së votës, kapjes së shtetit nga organizatat kriminale, as ndaj shkatërrimit të institucioneve të drejtësisë.
Edhe kur kanë mbajtur qëndrime për çështje të sferës publike, komunitetet fetare kanë treguar një naivitet të pafalshëm. Gjuha e barazlarguar nga qëndrimet e palëve, – kur njëra nga palët duket qartë se ka kriminalizuar institucionet, ka bashkëpunuar hapur me grupet kriminale për të manipuluar zgjedhjet dhe ka dëmtuar rëndë perspektivën europiane të vendit, – është favorizim i palës më të fortë.
Vlejnë të veçohen sërish qëndrimet kurajoze të Konferencës Ipeshkëvnore kundër shitjes së votës, kundër votimit për njerëz të inkriminuar, dhe ndërhyrja kundër ndryshimit të nocionit të familjes në Kushtetutë. Qëndrimet e Ipeshkëvit të Rrëshenit Dom Gjergj Meta dhe Myftiut të Shkodrës Muhamed Sytari kundër financimit me origjinë të dyshimtë të zgjedhjeve dhe normalizimit të trafikimit të drogës mbeten të izoluara.
Fetë në Shqipëri duhet të kuptojnë, sa nuk është vonë, se edhe pse nuk janë pjesë e luftës politike, ato janë përgjegjëse për mbarëvajtjen e punëve në vend. Sfera publike nuk është fushë ekskluzive e partive apo shoqatave laike të shoqërisë civile. Si kudo në botën perëndimore, komunitetet fetare përfaqësojnë një pol të jashtëzakonshëm fuqie për të balancuar arrogancën e pushtetit dhe politikat revanshiste me bazë partiake, krahinore apo fetare.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, një organizatë që synon të sjellë bashkë komunitetet fetare për të ruajtur trashëgiminë e harmonisë mes tyre, mjaftohet me një deklaratë kundër konfliktualitetit dhe pro dialogut. Fatkeqësisht, duket se as këta nuk e kanë kuptuar se bashkëjetesën e kërcënon një qeveri që ka mbërthyer kaq shumë pushtet dhe që po shpërdoron haptazi burimet financiare e natyrore.
Nga ana tjetër, klerikë të shumtë nuk druhen të shfaqen në iftare në krah të Sajmir Tahirit të akuzuar për kanabizimin e relievit dhe kriminalizimin e policisë. Të lë pa fjalë gatishmëria e disave prej tyre për të rrëmbyer lopatën e për të mbjellë pemë krah Erion Veliajt, që po betonon qytetin në një megaoperacion të pastrimit të parave të drogës. Mbetesh gojëkyçur kur ata shpërndajnë supë në mensa publike krah kryetarit të Bashkisë, i cili mund të jetë përgjegjës për vdekjen dhe zhdukjen për disa ditë të kufomës së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj.
Bashkësitë e besimit duhet ta kujtojnë se pushtetet diktatoriale nuk njohin asnjë kufi etik a ligjor kur përdorin mjete të kobshme për të garantuar jetëgjatësinë e tyre. Historia jonë e diktaturës dhe ajo e Europës së shekullit të njëzetë është e mbushur me raste komplotesh të thurura nga pushteti në dëm të lirive fetare.
Klerikë si Hafiz Ali Korça, që paralajmëruan ardhjen e komunizmit, qenë zëra të papërkrahur. Ndërsa drama e ekzekutimeve dhe persekutimit të klerit dhe fshirjes nga faqja e dheut të trashëgimisë fetare rëndoi mbi të gjithë. Nga qindra klerikë që u pushkatuan, u varën, vdiqën në qelitë e Spaçit, Burrelit, në kampin e përgjakur të Tepelenës apo në kasollet prej plastmasi në internim, shumë pak ishin ata që kishin kundërshtuar hapur dhe pa ndalur diktaturën komuniste.
Sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për rolin e vërtetë të bashkësive fetare në sferën publike. Mbrojtja e interesit publik, e lirive dhe të drejtave njerëzore, e vlerave dhe institucioneve tradicionale nuk mund të realizohet nga bashkësi të përgjumura, të ndrojtura dhe të mënjanuara nga shoqëria e gjerë. Udhëheqësit fetarë duhet të jenë zërat më legjitimë kundër padrejtësisë, që ka si burim pushtetin e pakontrolluar, krimin dhe fuqinë ekonomike të oligarkëve.
Kush do të guxonte të diskutonte legjitimitetin e një meshtari apo imami, që u thotë njerëzve se shitblerja e votës është mëkat i rëndë? Apo se përkrahja e figurave kriminale për të marrë pushtet politik është po ashtu mëkat i madh? Cili pushtetar apo oligark do të mund të vinte në pikëpyetje integritetin e një predikuesi që dënon vjedhjen e buxhetit apo uzurpimin e burimeve natyrore dhe pasurive publike?
Fetë në Shqipëri mund të luajnë një rol të pakonkurrueshëm në përmirësimin e jetës së shqiptarëve edhe falë fuqisë për të mobilizuar besimtarët për kauza me rrënjë te shpirtërorja. Praktika e suksesshme e disa klerikë në Shqipëri dhe Kosovë për të organizuar bamirësi është dëshmi e kësaj fuqie.
Autoriteti moral që Zoti u ka dhënë barinjve të grigjës së tij mbetet i injoruar, për sa kohë që nuk përdoret për të mbrojtur të varfrin dhe të shtypurin nga padrejtësia e të pasurit dhe të pushtetshmit.
Ngurrimi i udhëheqësve fetarë për të luajtur një rol aktiv në ndërtimin e shtetit dhe shoqërisë shqiptare është shkelje e amanetit të atyre klerikëve largpamës si Haxhi Vehbi Dibra, Babë Dudë Karbunara dhe Dom Nikoll Kaçorri, të cilët themeluan shtetin e pavarur.
Heshtja përballë katrahurës që i kanoset përsëri vendit është braktisje e traditës së vyer të klerikëve patriotë, të cilët nuk u lëkundën kur morën armët për të mbrojtur tokat e Shqipërisë. Mungesa e kurajos për të kundërshtuar të Keqen dhe përkrahur të Mirën – atij virtyti profetik themeltar në çdo traditë fetare – është shkelje e besëlidhjes që njerëzit e fesë kanë marrë nga Zoti.
Për këto arsye, na lind e drejta të pyesim: mos vallë pushteti në Shqipëri është bërë opiumi i feve?