Këshilli i Lartë Gjyqësor ka njoftuar Ardian Dvorani për përfundimin e detyrës së tij si gjyqtar i Gjykatës së Lartë.
“Pas emërimit dhe fillimit të ushtrimit të detyrës të tre gjyqtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, për ju [Dvoranin] ka mbaruar detyrimi kushtetues për të qëndruar në detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Lartë.” – shkruan KLGJ.
Dvoranit i ka mbaruar mandati si gjyqtar i Gjykatës së Lartë në vitin 2014, por në mungesë të emërimit të gjyqtarit zëvendësues, ka justifikuar mbajtjen e detyrës edhe për gjashtë vjet të tjera.
“Praktika e zgjatjes në heshtje të mandatit të gjyqtarit për një periudhë kohore të pacaktuar pas mbarimit të mandatit, deri në riemërimin e tyre, është konsideruar si shkelje e parimit “gjykatë e krijuar me ligj” – thekson KLGJ.
Sipas Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut është e drejtë e çdo individi që çështja e tij të gjykohet nga një gjykatë e krijuar me ligj.
Tani Ardian Dvorani ka të drejtën të caktohet si gjyqtar apeli. Ligji i reformës në drejtësi, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” i jep një javë kohë që të shprehet nëse dëshiron ta ushtrojë këtë detyrë.