KLGJ përgatitet të lërë në detyrë Ardian Dvoranin, në mënyrë të paligjshme

Nga Exit News
KLGJ përgatitet të lërë në detyrë Ardian Dvoranin, në mënyrë të paligjshme

Gjyqtari Ardian Dvorani do të qëndrojë në detyrë, derisa të emërohet anëtari i fundit i Gjykatës së Lartë.

Kështu ka argumentuar Komisioni për Zhvillimin e Karrierës pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në një shkresë zyrtare Komisioni u shpreh se Ardian Dvorani mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë pasi ai nuk është zëvendësuar nominalisht.

“Në kushtet kur tashmë në Gjykatën e Lartë janë emëruar dhe ushtrojnë funksionin tre gjyqtarë, në kushtet kur asnjëri prej tyre nuk zëvendëson nominalisht zotin Dvorani apo anëtarët e tjerë mandati i të cilëve ka përfunduar, por potencialisht secili prej tyre mund të zëvendësojë çdo mandat të mëparshëm, Komisioni vlerëson se i përket Këshillit të Lartë Gjyqësor të vlerësojë ligjshmërinë e vijimit të ushtrimit të detyrës nga ana e gjyqtarit Dvorani”

Komisioni i Karrierës përbëhet nga tre anëtar të KLGJ-së dhe ka për detyrë të asistojë Këshillin në aktivitetin e tij. Komisioni i përbërë nga anëtarët e KLGJ, Ilir Toska, Marçela Shehu dhe Alban Toro theksojnë se duke qënë se anëtarët e rinj nuk kanë zëvendësuar nominalisht gjyqtarin Dvorani, ai mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë.

Emërimet në Gjykatën e Lartë nuk bëhet nominalisht. Kushtetuta parashikon se anëtarët e rinj zëvendësojnë gjyqtarët, të cilëve ju ka mbaruar mandati.

Gjyqtarit Dvorani i ka mbaruar mbaruar mandati që prej vitit 2014, shumë më herët se të gjithë anëtarëve e tjerë të Gjykatës së Lartë, të cilët dhanë dorëheqjen apo u shkarkuan nga vetingu.

Në përputhje me përcaktime dhe frymën kushtetuese, vendi i tij duhet të ishte i pari për t’u zëvendësuar dhe Dvorani duhet të largohej që në momentin e emërimit të anëtarit të parë të ri të Gjykatës së Lartë.

Nga ana tjetër Komisioni, nuk ka marrë parasysh se ndaj gjyqtarit Dvorani, ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila urdhëronte lëshimin e postit prej tij.

Ndërkohë Komisioni i sugjeron Këshillit të mos e shqyrtojë çështjen, pasi është jashtë kompetencave të saj. Ligji për Statusin i njeh KLGJ-së të drejtën të propozojë kandidatë në Gjykatën e Lartë, të marrë masa ndaj tyre dhe t’i vlerësojë ata.  Sipas Kushtetutës, mbarimi i mandatit të anëtarit të GJL, bëhet me vendim të saj.

Por gjasat që të ndodhë kjo janë të pakta. Kështu edhe në këtë rast, Ardian Dvorani do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e tij në mënyrë të paligjshme.

Exit News ka analizuar në një shkrim te mëparshëm se Dvorani vazhdon të këmbëngulë për të mos lëshuar vendin e tij, thuajse shtatë vjet pasi i ka mbaruar mandati.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>