KLGJ shtyn për herë të tretë vendimin për shkarkimin ose jo të gjyqtarit Markelian Kuqo

Nga Exit News
KLGJ shtyn për herë të tretë vendimin për shkarkimin ose jo të gjyqtarit Markelian Kuqo

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shtyrë marrjen e vendimit për shkarkimin ose jo të gjyqtarit Markelian Kuqi në 12 nëntor. Kjo është hera e tretë që KLGJ shtyn vendimin për gjyqtarin.

Shkak për shtyrjen u bë karantinimi i gjyqtarit Kuqo pasi dyshohet se është infektuar me Covid-19.

Në seancën e kaluar të KLGJ-së pati debate mes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe gjyqtarit Kuqi, për vendimin e këtij të fundit për të liruar  kriminelin, Gerd Gjenerali.

Sipas drejtuesit të ILD-së Artur Metanit, vendimi i Kuqos është i padrejtë dhe ‘cenon imazhin e sistemit gjyqësor’. Metani theksoi se lirimi me kusht i një të dënuar përsëritës për vepra të rënda penale, përbën rrezik për komunitetin.

Ai e quajti gjyqtarin Kuqo ‘të padenjë për të vijuar detyrën’ dhe i kërkoi KLGJ-së shkarkimin e tij.

Ndërsa gjyqtari Kuqo e quajti procesin ndaj tij ‘të nxituar’ dhe me ‘qëllime të paracaktuara’.

Ai e justifikoi vendimin për lirimin e Gjeneralit me dokumentet nga burgu i Drenovës ku thuhej se i burgosuri mund të integrohej në shoqëri:

“Administrova raportin e IEVP Drenovë. Në raport thuhej se rehabilitimi i tij ishte i mundshëm. Administrova edhe raportin e zyrës së provës dhe sipas këtij raporti, ishte i mundshëm integrimi i tij në shoqëri. Shkeljet që më drejtohen nuk janë të vërtetuara.”

Historiku i ngjarjeve

Më 3 gusht, ILD rekomandoi shkarkimin e gjyqtarit Markelian Kuqo, pasi ka liruar nga burgu, në mënyrë të dyshimtë, Gerd Gjeneralin, i njohur si një prej ‘të fortëve të Tiranës’.

Gjyqtari i Korçës Kuqo, në shkurt 2019, vendosi lirimin me kusht të Gerd Gjeneralit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje në Itali në vitin 1997.

Pas vendimit për lirimin e Gjeneralit, Ministria e Drejtësisë kërkoi hetimin e rastit.

Gerd Gjenerali (Gjinarari) ishte dënuar me burgim të përjetshëm në Itali në fillim të viteve 2000, për akuzën e vrasjes për hakmarrje të Naim Zyberit dhe dy shqiptarëve të tjerë.

Ai u transferua në Shqipëri në vitin 2014 për të vuajtur dënimin.

Katër vjet pasi u trasferua në Shqipëri ai ka kërkuar në Gjykatën e Korçës lirimin me kusht dhe pas rreth 10 seancash gjyqtari Markelian Kuqo ka pranuar kërkesën e tij.

Shkak për pranimin e kërkesës së lirisë me kusht ishin sipas gjyqtarit Kuqo, se ai “ka bërë përpjekje për shuarjen e pasojave të veprave penale” dhe se ka normalizuar plotësisht “marrëdhëniet me trashgimtarët e viktimave”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>