KLGJ shtyn vendimin për shkarkimin ose jo të gjyqtarit Markelian Kuqi

Nga Exit News
KLGJ shtyn vendimin për shkarkimin ose jo të gjyqtarit Markelian Kuqi

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shtyrë marrjen e vendimit për shkarkimin ose jo të gjyqtarit Markelian Kuqi në 5 nëntor. Kjo është hera e dytë që KLGJ shtyn vendimin për gjyqtarin.

Në seancën e kaluar të KLGJ-së pati debate mes Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe gjyqtarit Kuqi, për vendimin e këtij të fundit për të liruar  kriminelin, Gerd Gjenerali.

Sipas drejtuesit të ILD-së Artur Metanit, vendimi i Kuqos është i padrejtë dhe ‘cenon imazhin e sistemit gjyqësor’. Metani theksoi se lirimi me kusht i një të dënuar përsëritës për vepra të rënda penale, përbën rrezik për komunitetin.

Ai e quajti gjyqtarin Kuqo ‘të padenjë për të vijuar detyrën’ dhe i kërkoi KLGJ-së shkarkimin e tij.

Ndërsa gjyqtari Kuqo e quajti procesin ndaj tij ‘të nxituar’ dhe me ‘qëllime të paracaktuara’.

Ai e justifikoi vendimin për lirimin e Gjeneralit me dokumentet nga burgu i Drenovës ku thuhej se i burgosuri mund të integrohej në shoqëri:

“Administrova raportin e IEVP Drenovë. Në raport thuhej se rehabilitimi i tij ishte i mundshëm. Administrova edhe raportin e zyrës së provës dhe sipas këtij raporti, ishte i mundshëm integrimi i tij në shoqëri. Shkeljet që më drejtohen nuk janë të vërtetuara.”

Historiku i ngjarjeve

Më 3 gusht, ILD rekomandoi shkarkimin e gjyqtarit Markelian Kuqo, pasi ka liruar nga burgu, në mënyrë të dyshimtë, Gerd Gjeneralin, i njohur si një prej ‘të fortëve të Tiranës’.

Gjyqtari i Korçës Kuqo, në shkurt 2019, vendosi lirimin me kusht të Gerd Gjeneralit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje në Itali në vitin 1997.

Pas vendimit për lirimin e Gjeneralit, Ministria e Drejtësisë kërkoi hetimin e rastit.

Gerd Gjenerali (Gjinarari) ishte dënuar me burgim të përjetshëm në Itali në fillim të viteve 2000, për akuzën e vrasjes për hakmarrje të Naim Zyberit dhe dy shqiptarëve të tjerë.

Ai u transferua në Shqipëri në vitin 2014 për të vuajtur dënimin.

Katër vjet pasi u trasferua në Shqipëri ai ka kërkuar në Gjykatën e Korçës lirimin me kusht dhe pas rreth 10 seancash gjyqtari Markelian Kuqo ka pranuar kërkesën e tij.

Shkak për pranimin e kërkesës së lirisë me kusht ishin sipas gjyqtarit Kuqo, se ai “ka bërë përpjekje për shuarjen e pasojave të veprave penale” dhe se ka normalizuar plotësisht “marrëdhëniet me trashgimtarët e viktimave”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>