Klientët e zakonshëm në garën e dyshimtë për projektin €33 milionë të shkollave, a do reagojë BE?

Nga Exit News
Klientët e zakonshëm në garën e dyshimtë për projektin €33 milionë të shkollave, a do reagojë BE?

I gjithë projekti i ndërtimit dhe rindërtimit të shkollave prej rreth €33,4 milionë do të zbatohet nga kompani shqiptare edhe pse tenderi për punët ndërtimore ishte teorikisht ndërkombëtar.

Në fazën e parë të tenderit, gjatë së cilës shprehin interesin kompanitë e interesuara për punimet të ndara në shtatë lote të veçanta, nuk ka shprehur interes asnjë kompani e huaj.

Sikurse Exit News paralajmëroi më herët, për shkak të afatit të vendosur nga qeveria, vetëm 9 ditë nga 20 që parashikon ligji, pjesmarrja e kompanive të huaja ishte praktikisht e pamundur.

Sipas të dhënave të Open Data Albania, për të 7 lotet kanë shprehur interes 21 kompani shqiptare, nga të cilat për të gjitha lotet kanë shprehur interes kompanitë Fusha shpk, Albstar shpk, Salillari shpk, Gjikuria shpk dhe Vëllezërit Hysa shpk.

Fillimisht, qeveria pohoi se prokurimi do të bëhej me para buxhetore, pasi nuk ishin angazhaur fondet e premtuara nga BE dhe donatorë të tjerë. Por javën e shkuar, Komisioni Europian angazhoi pjesën e parë prej €15 milionë për rindërtimin, nga ndihma totale prej €115 milionë e premtuar.

Është e paqartë nëse edhe fondet e KE-së do të jenë pjesë e prokurimit të mësipërm, kjo rrezikon që t’i bëjë paratë e taksapaguesve europianë pjesë të prokurimeve të dyshimta dhe jo transparente të qeverisë shqiptare, përmes procedurave që bien ndesh me ligjin shqiptar.

Për më tepër, është detyrim themelor i KE-së që të sigurohet se kompanitë e vendeve anëtare kanë qasje të plotë në të gjitha prokurimet me fondet e BE-së. Vetëm kaq mjafton që KE të kërkojë që të paktën për pjesën e fondeve të saj të kërkojë një procedure të re prokurimi që garanton standardet e BE-së.

Prokurimi për rindërtimin e shkollave dhe konvikteve filloi më 16 mars, me anë të “procedurës së kufizuar” e cila zhvillohet me dy faza—në fazën e parë bëhet një thirrje publike kompanitë që kanë interes, ndërsa në fazën e dytë nga lista e kompanive të interesuara qeveria përzgjedh disa të cilave u kërkon të paraqesin ofertë dhe mes tyre zgjedh fituesin.

Sikurse kemi argumentuar kjo procedurë e ngutur është në kundërshtim me ligjin dhe kufizon konkurencën dhe i jep mundësinë qeverisë të zgjedhë kontraktorët që dëshiron, praktikisht pa konkurencë.

Fakti që në fazën e parë janë përfshirë të gjithë klientët më të mëdhenj të qeverisë, i jep qeverisë dorë të lirë të kontraktojë përsëri ata.

Fusha shpk dhe Albstar shpk janë kompanitë që kanë përfituar më shumë para prej kontratave për punë publike gjatë vitit 2019. Të dhënat e analizuara nga BIRN treguan se gjatë vitit të shkuar Fusha shpk arkëtoi €32,5 milionë (3,9 miliardë lekë) dhe Alb-Star €19 milionë (2,3 miliardë lekë) nga fonde publike.

Salillari shpk gjithashtu është përfshirë në prokurime të dyshimta publike përfshi parkimin nëntokësor në Sheshi Italia.

Ndërsa Vëllezërit Hysa shpk është kompania që shërbeu si mbulesë për korrupsionin e tenderit të Unazës së Re të Tiranës, por që vazhdon të përfitojë kontrata me fondet publike.

5 komente

  1. Toni 19 Prill, 2020 në 5:00 pm

    nese nuk ka ndryshuar asnje kusht qe i beri pikerisht keto firma perfituesit me te medhenj , pse duhet qe te mos jene dhe me ne vazhdim perfituese ?

    ndryshimi i situates shendetesore dhe kufizimeve, nuk ka ndryshuar kushtet qe i bene keto firma hajduto-perfituese te parave te shtetasve shqiptar (50% e buxhetit vjen nga tvs dhe akciza, dmth direkt nga xhepi i qytetareve)

    kushit kryesor eshte Rama kryeminister.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme