Biznesmeni i inceneratorëve Klodian Mërtiri, i njohur gjithashtu edhe si Mirel Mërtiri u shpall në kërkim në Zimbabve për korrupsion me një tender të mjeteve mjekësore për Covid-19, me vlerë 60 milionë dollarë. Për këtë skandal u arrestua më 19 qershor Ministri i Shëndetësisë i Zimbabve.
Mërtiri i paraqitur në Zimbabve me emrin fallso Ilir Dedja, përmes një kompanie Drax International, të regjistruar në Zvicër para dy muajsh, dhe me përfaqësues biznesmenin afrikan Delish Nguwaya, i ka shitur qeverisë mjete mjekësore, maska dhe veshje 10 herë më shtrenjtë se tregu.
Në mars, autoritet në Hungari, ku është regjistruar një degë e Drax International, lajmëroi qeverinë e Zimbabueve pas një pagese prej 2 milionë dollarë në llogarinë e kompanisë. Gjithashtu edhe interpoli nisi hetimet mbi këtë kompani. Pas këtij skandali kompania hapi një degë në Dubai ku kaloi rreth 1 milionë dollarë.
Një nga djemtë e Presidentit Emmerson Mnangagwa u detyrua të nënshkruante një deklaratë ku mohoi lidhjet me kompaninë, pas daljes në publik të fotografive të përfaqësuesve të kompanisë në shoqërinë e presidentit, dhe familjes së tij, në disa evente.
Ministri i Shëndetësisë, një ish administrator spitali, mund të dënohet me 15 vjet burg, nëse del fajtor nga Gjykata. Ai u lirua me kusht dhe do të dalë përpara gjykatës më 31 korrik.
Sipas dokumentave, ministri i shëndetësisë ushtroi presion mbi punonjësit e tij për dhënien e kontratës prej 60 milionë euro kompanisë së dyshimtë.
Skandali u zbulua pasi punonjësë të shëndetësisë përfshirë, infermierë dhe doktorë në Zimbabve nisën grevën duke kërkuar që të paguheshin në dollarë, sepse inflacioni është mbi 750 për qind dhe monedha vendase e ka humbur vlerën.
Ato gjithashtu, pas rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19, u ankuan edhe për mungesën e mjeteve mbrojtëse të përshtatshme.
Për lidhjen mes Klodian Mërtirit dhe zyrtarëve shqiptarë për përfitimin e kontratave koncesionare të inceneratorëve lexo këtu,këtu dhe këtu.