Më 7 qershor 2019, një gazetë në Zimbabve, e quajtur Zimbawve Independent, botoi një artikull ku denonconte një skandal me tendera me vlerë prej 120 milionë eurosh, ku përfshihej dhe kompania holandeze Integrated Energy B.V.
Kjo kompani kishte fituar tenderin për të ndërtuar inceneratorin e mbetjeve të kryeqytetit të Zimbabves, Harare, në shkelje të procedurave ligjore të tenderimit publik.
Siç kemi shpjeguar më parë, këto taktika janë shumë të ngjashme me mënyrën se si Integrated Energy, nën drejtimin e sipërmarrësit Klodian Zoto, ka fituar një tender prej 140 milionë eurosh për të ndërtuar një incinerator mbetjesh në Tiranë.
Për këtë arsye, Samukange Hungwe Attorneys, një studio ligjore në Harare, duke pretenduar se përfaqëson Integrated Energy BV, i ka dërguar një letër gazetës ku i kërkon korrigjimin e plotë të artikullit, duke kërcënuar me një padi prej 500 milionë dollarësh. Gazetari Andrew Kunambura i Zimbabwe Independent ja përcolli këtë letër redaksisë së Exit.al për botim.
Në letër padinë, avoakti E.R. Samukange pretendon se:
“Zoto nuk është në asnjë lloj mënyre, i lidhur me kompaninë Integrated Energy BV dhe ai nuk është me kombësi holandeze.”
Kjo deklaratë vlen të shqyrtohet për dy arsye. Nëse vërtetë Klodian Zoto nuk është i lidhur me Integrated Energy BV, nga e dinë ata se ai nuk ka kombësi holandeze?
Për më tepër, Exit.al ka publikuar në të shkuarën të dhëna nga Dhoma Holandeze e Tregtisë, ku tregohet qartë se Zoti Zoto është në bordin drejtues të Integrated Energy BV. Pretendimet e studios ligjore janë në kontradiktë me të dhënat e Dhomës së Tregtisë: Klodion Zoto ka qenë në bordin drejtues të kompanisë, të paktën në kohën kur kjo kompani ka fituar tenderët në Shqipëri.
Sipas një hulumtimi të Zërit të Amerikës, Zoto është larguar nga bordi drejtues i Integrated Energy BV në mars 2018 dhe u zëvendësia nga një kompani guackë e quajtur Almares Management BV me seli në Amsterdam, me drejtorë të emëruar dhe pronësi të panjohur. Kjo lë vend për dyshime se Zoto donte të zhdukte çdo gjurmë nëpër dokumente.
Kompani të tilla guckë holandeze janë përdorur shpeshherë nga kompanitë shqiptare për të fituar koncensione të dyshimta, për të fshehur konfliktin e interesit dhe për të shmangur taksat. Sidoqoftë, Zoto është ende i regjistruar si administrator i kompanisë motër në Shqipëri, Integrated Energy Solutions.
Letra e padisë më tej pohon se informacioni i publikuar nga Indepedent Zimbabve rreth aktiviteteve të kompanisë Integrated Energy në Shqipëri, përfshi fitimin e një tenderi për një incinerator mbetjesh në Tiranë, paraqet një “shkelje të privilegjit të gazetarëve”. Në fakt, Andrew Kunambura dhe kolegu i tij Chipa Gonditi thjesht shkruan një përmbledhje të fakteve të njohura, të publikuara më parë nga Exit.al në vitet 2016-2017.
Në maj 2016, përpara se Integrated Energy BV të regjistrohej zyrtarisht në Holandë, i dërgoi një ofertë të pakërkuar qeverisë shqiptare për të menaxhuar koncesionin 30-vjeçar të një inceneratori mbetjesh në Tiranë, me vlerë 140 milionë euro. Siç ka ndodhur shpesh në Shqipëri, qeveria i dha kompanisë një bonus prej 8 për qindësh në procedurën e tenderimit, të cilën më pas kompania e fitoi, siç pritej.
Për më tepër, qeveria nuk bëri asnjë konsultim publik, pavarësisht nga detyrimet ligjore dhe faktit që incineratorët e mbetjeve janë gjerësisht të kundërshtuara në shoqërinë shqiptare.
Dy prej anëtarëve të bordit të Integrated Energy BV, Theo Spijkerman dhe Arnaud van der Werf, punojnë në Grupin SGG, i cili u hetua në vitin 2014 nga Zyra e Mashtrimeve të Rënda Financiare në Britaninë e Madhe për një mashtrim me vlerë 23 milionë paund në Kamboxhia. Për këtë SSG Group u dënua në Mbretërinë e Bashkuar për veprën penale të mashtrimit financiar.
Tenderi për inceneratorin e mbetjeve nuk është i vetmi i lidhur me Klodian Zoton në Shqipëri. Gazetari Artan Rama ka zbuluar se një sërë kompanish, përfshirë Integrated Energy BV dhe Integrated Technology Solutions, janë të lidhura me koncesionet e inceneratorëve të mbetjeve në Elbasan dhe Fier, të dy të fituar me procedura të dyshimta tenderimi dhe të kundërshtuara nga banorët e zonave.
Bashkia e Tiranës ka filluar t’i paguajë tashmë disa milionë euro kompanisë Integrated Energy, megjthëse nuk ka filluar ende ndërtimi i inceneratorit. Në vitin 2018, Bashkia Tiranë i pagoi kompanisë 8 milionë euro në bazë të kontratës së koncesionit, pa marrë asnjë shërbim.
Exit.al i ka kërkuar studios ligjore Samukange Hunger Attorneys një koment, por deri në momentin e botimit të këtij artikulli, nuk ka marrë ende përgjigje.