Këshilli i Lartë i Prokurorisë deklaroi sot se drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja nuk ka probleme me të shkuarën komuniste.
KLP pohoi se ai është hetuar në të gjitha kriteret përsa i përket integriteti dhe figurës dhe ka kaluar me sukses.
“E kaluara e tyre është hetuar imtësisht në 4 rrafshe:
(i) Është verifikuar nëse kanë bashkëpunuar me strukturat famëkeqe të ish – sigurimit të shtetit në periudhën 29.11.1944 deri në 02.07.1991;
(ii) Është verifikuar nëse kanë pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar gjatë periudhës së punës si prokurorë;
(iii) Është verifikuar nëse pasuria e tyre është e ligjshme; dhe
(iv) Është verifikuar nëse aftësitë e tyre profesionale janë të përshtatshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit.
Të gjithë prokurorët që sot shërbejnë në SPAK, kanë kaluar me sukses verifikimet e sipërpërmendura. ”
Pak ditë më parë, Ish-drejtuesi i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) Agron Tufa denoncoi faktin se gjatë fundit të regjimit diktatorial, Zoti Kraja, i zgjedhur kryetar i SPAK, kishte marrë pjesë si hetues në procese gjyqësore politike.
Në një artikull të mëparshëm, ne kemi sqaruar se më për vetëm 27 ditë, AIDSSH i u përgjigj se nga verifikimet e bëra “deri në atë moment nuk kishin rezultuar materiale në emër të tij në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit”. Kjo përgjigje erdhi pas kërkesës së KLP për verifikimin e figurës së zotit Kraja.