Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve (SHKGJSH) dënuan kërcënimin me eksploziv, që iu bë sot prokurorit të Vlorës Albert Kuliçi.
Në dy deklarata të ndryshme për shtyp, KLP dhe SHKGJSH theksuan se ngjarja duket si “shënjestrim ndaj prokurorit për shkak të detyrës”.
“Ky sulm përbën akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cënojë mirëfuksionimin e sistemit të drejtësisë” – tha në deklaratën për shtyp KLP, e cila qartësoi se çdo sulm ndaj prokurorëve e konsideronte atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë.
Edhe SHKGJSH shprehu shqetësim për situatën duke i bërë thirrje autoriteteve të zbardhin me përgjegjshmëri të plotë ngjarjen.
“Ngjarje të tilla trondisin jo vetëm organet e drejtësisë por krijojnë edhe pasiguri te qytetarët. Cenimi i jetës, shëndetit apo pronës së magjistratit përbën një fenomen të papranueshëm për një shtet të së drejtës, që duhet të vërë në alarm të gjitha strukturat përgjegjëse shtetërore si dhe të zgjojë ndërgjegjen qytetare për rëndësinë e misionit të magjistratit.”
Mëngjesin e sotëm makina e prokurorit të Vlorës Albert Kuliçi u shpërthye me eksploziv. Nga shpërthimi u dëmtua edhe një makinë tjetër e parkuar pranë saj.
Dyshimet e para të policisë lidhen me detyrën e prokurorit dhe dosjet që ai po heton, një prej të cilave është tjetërsimi i pronave në Karaburun e Zvërnec.
Ky është sulmi i tretë ndaj një zyrtari të drejtësisë në dy muajt e fundit. Më 25 nëntor makina e Andri Ymerit gjytar në Shkodër u dogj, ndërsa në fillim të nëntorit prokurori i Durrësit Arjan Ndoja u sulmua me armë.
Për t’u theksuar është se në Vlorë, më parë i është djegur makina edhe zyrtarëve të tjerë, ku rasti më i fundit ishte ai kryebashkiakut Dritan Leli.