KLP formohet pa përfunduar procesi i vetingut të kandidatëve

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
KLP formohet pa përfunduar procesi i vetingut të kandidatëve

Në një sallë konferencash në ish-hotel Sheraton, u zhvillua Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve ku u zgjodhën gjashtë anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Zgjedhja e KLP-së erdhi pas një fushate intensive propagande të misioneve diplomatike ndërkombëtare në Tiranë, e udhëhequr nga Delegacioni i BE-së dhe Ambasada Amerikane.

Nxitimi dhe shpejtësia e qeverisë dhe e mbështetësve të saj ndërkombëtarë, të shoqëruara nga mosarritja e konsensusit për paketën ligjore shoqëruese të reformës në drejtësi e përcaktuar në Aneksin e Kushtetutës, ka sjellë sërish përdorimin e reformës në dëm të shtetit të së drejtës, në vend të përforcimit të tij.

Zbatimi i reformës në drejtësi  është kthyer në qëllim në vetvete dhe nuk shihet më si mjet për të vendosur një sistem gjyqësor të pavarur dhe për të forcuar shtetin e së drejtës. Si qeveria, ashtu edhe mbështetësit e saj ndërkombëtarë po mbështesin gjithnjë e më tepër një “sukses” afatshkurtër të reformës, duke sakrifikuar qëndrueshmërinë afatgjatë politik. Por kujt i intereson? Zgjedhjet e BE-së janë vitin e ardhshëm, të gjithë “miqtë” tanë të BE-së do të kenë vende të reja pune!

Pra, le të shohim se çfarë ka dalë nga kapelja magjike. KLP-ja e plotë përbëhet nga 11 anëtarë, 6 nga prokuroria dhe 5 anëtarë të tjerë jo-prokurorë. Anëtarët jo-prokurorë u zgjodhën nga Parlamenti më herët këtë vit.

  • Avokatë(2): Nurihan Seiti (Metaj); Tartar Bazaj;
  • Profesorë të së drejtës (2): Gent Ibrahimi; Sandër Beci;
  • Shoqëri Civile (1): Alfred Balla

Më 11 dhjetor, Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve përzgjodhi me votim katër anëtarë, ndërsa dy të tjerë fituan pozicionin e tyre 5-vjeçar automatikisht, për shkak të mungesës së konkurrentëve.

  • Prokurorë pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë (dy nga të cilët një duhet të jetë jashtë Tiranës): Gentian Osmani, Antoneta Sevdari, Besnik Cani;
  • Prokurorë pranë Apelit (dy nga të cilët një duhet të jetë jashtë Tiranës): Bujar Sheshi, Arben Dollapaj;
  • Prokurorë pranë Prokurorisë së Përgjithshme(1): Kostaq Beluri.

Siç e kemi shpjeguar më parë, verifikimi i disa prej këtyre anëtarëve të KLP nuk ka përfunduar, në kundërshtim me Aneksin e Kushtetutës dhe Ligjin e Vetting-ut.

Komisioneri Publik ka apeluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, konfirmimin e Gentian Osmanit dhe Antoneta Sevdarit, ndërkohë që vendimi i Besnik Canit ende nuk është zbardhur. Për më tepër, Dritan Rreshka, Elsion Sadiku dhe Adriatik Cama kanë apeluar shkarkimin e tyre nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve (KPK).

Kur KPA-ja të rrëzojë  konfirmimin e Osmanit ose Sevdarit, ose të rikonfirmojë  Rreshkën, Sadikun ose Camën, do të hyjmë (përsëri) në hapësirën e panjohur ligjore, pasi vetëm Gjykata Kushtetuese mund të marrë masa disiplinore kundër anëtarëve të KLP-së. Dhe falë reformës në drejtësi, nuk ka Gjykatë Kushtetuese.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>