Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka reaguar zyrtarisht në lidhje me kritikat e Theo Jacobs, anëtar i ONM-së, për hetimet e kryera nga prokurorët e SPAK mbi gjyqtarin e KPA-së Luan Daci.
KLP i quajti këto deklarata të dëmshme për suksesin e punës së prokurorëve të SPAK.
“Deklaratat publike (qofshin edhe personale) që venë në dyshim integritetin dhe/ose profesionalizmin e prokurorëve janë të qortueshme pasi sistemi ynë ligjor ofron mjete dhe procedura të përshtatshme për trajtimin e çdo pretendimi që lidhet me profesionalizmin dhe integritetin e prokurorëve”, shkroi KLP në një deklaratë për shtyp.
KLP i kujtoi se “çdo pretendim i këtij lloji mund të trajtohet në mënyrën e parashikuar nga ligji dhe në institucionet e parashikuara nga ligji”.
Përndryshe, sipas KLP-së “çdo diskutim është i destinuar të jetë vetëm një opinion që vetëm cënon në mënyrë të padrejtë imazhin, edhe kështu të brishtë, të institucioneve të reja të drejtësisë”.
Gjithashtu KLP sqaroi se çdo prokuror i SPAK ka kaluar vetingun dhe kontrollohet në mënyrë periodike nga Këshilli.
“Kujtojmë se pavarësisht verifikimeve tona të thella , kushti mbi kushtet për të gjithë kandidatët ishte kalimi me sukses i sprovës se vetting – ut. Të gjithë prokurorët që sot shërbejnë në SPAK, e kanë kaluar këtë sprovë. Është detyra e Këshillit të sigurohet në vijimësi për garantimin e standardeve profesionale e etike të prokurorëve të SPAK”.
KLP ka sqaruar se procesi i përzgjedhjes së prokurorëve të SPAK ka zgjatur 9 muaj dhe ka qënë transparent.
“Në një përpjekje për të përzgjedhur prokurorët më të mirë, ne zhvilluam një proces tepër kërkues dhe transparent i cili zgjati plot 9 (nëntë) muaj. Në kuadër të atij procesi ne verifikuam në detaj profesionalizmin dhe integritetin e të gjithë kandidatëve”, shkruan KLP.