Këshilli i Lartë i Prokurorisë renditi sot prokurorin e Krimeve të Rënda Olsian Çelën, të parin në listën e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. KLP renditi të dytën Arta Markun dhe në vend të tretë prokuroren e Apelit Tiranë Fatjona Memcaj.
Sipas Ligjit Për Prokurorinë, KLP i ka renditur kandidatët bazuar në tre kritere; morale, profesionale dhe organizative. Për të realizuar këtë KLP miratoi metodologjinë e vlerësimit të tyre, e cila parashikon një sistem pikësh për secilin kriter.
Dje u zhvilluan seancat dëgjimore me secilin kandidat. Secili nga kandidatët paraqiti para KLP-së programin e tij, për mënyrën se si do të drejtojë institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme. Anëtarët e KLP-së i drejtuan pyetje secilit prej tyre, për programet e paraqitur prej tyre.
Sipas Kushtetutës, Kuvendi brenda 30 ditëve duhet të zgjedhë me tre të pestat e votave një nga tre kandidaturat që i çon KLP-ja. Nëse nuk ndodh kështu, atëherë atëherë kandidatura e renditur e para në listën e KLP-së, në ketë rast Olsian Cela shpallet i emëruar automatikisht Prokuror i Përgjithshëm.