Këshilli i Lartë i Prokurorisë skualifikoi sot nga gara për Prokuror të Përgjithshëm avokatin Lulzim Alushaj, pasi nuk plotëson kushtet e kërkuara nga kushtetuta dhe ligji.
Pas vlerësimit të dosjeve të kandidatëve, KLP vlerësoi se Zoti Alushaj nuk plotëson kushtin e pasjes 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur të parashikuar në nenin 148/a të Kushtetutës dhe në ligjin 97/2016 Për organizimin e funksionimin e Prokurorisë”.
Zoti Alushaj ka tre ditë afat për të ankimuar vendimin e KLP-së.
Për tre kandidatët e tjerë, Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela, KLP ka vendosur se i plotësojnë kushtet dhe do të vazhdojnë garën.
Si do të zgjidhet Prokurori i ri i Përgjithshëm
Kandidatët që plotësojnë kushtet e kërkuara me ligj, do të vlerësohen dhe renditen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë bazuar në disa kritere:
– vlerësimin profesional në fushën e drejtësisë penale;
– integritetin moral dhe profesional i kandidatit;
– aftësitë organizative dhe drejtuese;
– vlerësimin e elementëve plotësuese si titujt akademike, studime dhe trajnime jashtë vendit, njohja e gjuhëve të huaja.
Më pas, KLP do t’i paraqesë Kuvendit një listë me tre kandidatë të renditur në bazë të vlerësimit.
Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet ai kandidat që merr votat e të paktën 84 deputetëve.
Ligji nuk kufizon numrin e votimeve që mund të ndërmarrë Kuvendi, por nëse ai nuk arrin ta zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpallet i emëruar.