Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka kapur në shkelje të ligjit ish-Drejtoreshën e Autoritetit Rrugor (ARRSH) Sonila Qato dhe 3 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO). KLSH i akuzon se shkelën procedurat e tenderimit për tunelin e rrugës Kardhiq-Delvinë dhe për këtë duhen ndjekur penalisht.
Tenderi 19 milionë eurosh i tunelit Kardhiq-Delvinë u anulua në gusht 2019 pasi kompania Gjoka Konstruksion ishte skualifikuar 2 herë nga ARRSH-ja. Në një auditim të bërë më vonë, KLSH thotë se skualifikimi është bërë në kundërshtim me ligjin pasi Gjoka Konstruksion kishte paraqitur ofertën më të ulët dhe dhe se me vendim të Komisionit të Prokurimit Publik duhej shpallur fituese, por vendimi nuk është zbatuar.
Për këtë më 28 tetor 2019, KLSH-ja i ka kërkuar prokurorisë nisjen e kallëzimit penal ndaj ish-drejtoreshës Sonila Qato dhe 3 anëtarët e KVO-së E.G; S.P dhe E.S. Qato u dorëhoq në shtator 2019 pasi ndaj saj kompania Gjoka Konstruksion e paditi për shpërdorim detyre dhe favorizim në tendera.
Më poshtë Exit News risjell gjithë historikun e çështjes:
Projekti i rrugës Kardhiq-Delvinë
Projekti 36.5 km është planifikuar që në vitin 2007. Ai do të shkurtojë distancën Tiranë-Sarandë në më pak se 3 orë udhëtim. Punimet janë ndarë në 8 segmente me 8 tendera të ndryshëm. Tre segmentet e para (gjithsej 16.6 km) kanë përfunduar, tre të dytët (gjithsej 14.6 km) janë duke u ndërtuar, ndërsa ndërtimi i segmenteve 7 dhe 8 nuk ka nisur ende.
Kostoja për përfundimin e rrugës do të jetë 60 milionë euro.
Tenderi që u anulua së fundmi është ai i tunelit në qafën e Skërficës, pjesë e segmentit 7.
Tenderi për tunelin
Më 25 prill, ARRSH hapi tenderin 19 milionë euro (2,3 miliardë lekë) për ndërtimin e tunelit në rrugën Kardhiq-Delvinë. Në këtë tender u paraqitën 6 oferta:
- Gjoka Konstruksion-Cobail-JV Gr Albania 14,6 milionë euro (1,7 miliardë lekë)
- Pe-Vla-Ku 15,4 milionë euro (1,8 miliardë lekë)
- Fusha-Aydiner Inssat Anonim Sikerti-Gjeokonsult 16 milionë euro (1,9 miliardë lekë)
- Gener 2-Seedc Consulting-Infra Konsult 17 milionë euro (2 miliardë lekë)
- Alb Building-BeIs-F&S-C.E.C Group-Nord-Comat 18,8 milionë euro (2,295 miliardë lekë)
- IRCOP-Sulova-Vega-AE Engineering 18,9 milionë euro (2,299 miliardë lekë)
Më 17 qershor, ARRSH skualifikoi 5 ofertat më të ulëta dhe shpalli fitues bashkimin e kompanive ku bënte pjesë Sulova. Ky grup kishte dhënë ofertën më të lartë – 18.9 milionë euro.
Oferta më e ulët e bashkimit të kompanive me Gjoka Konstruksion u skualifikua për (a) mungesë dokumentacioni, (b) mosrealizim në 70% të punimeve të një kontrate të mëparshme (segmenti 4 i rrugës Kardhiq-Delvinë), (c) detyrime në pagesat e kontributeve shoqërore, (d) mosplotësim të kushtit minimal për 130 punonjës.
Prej 30 prillit, Agjencia e Prokurimeve Publike nuk ka publikuar më asnjë informacion rreth tenderit në buletinin e prokurimeve, qoftë edhe për të shpjeguar më mirë arsyet e skualifikimit të ofertave të tjera.
Gjoka u ankua në KPP. Më 9 korrik komisioni vendosi në favor të saj, anuloi vendimin e ARRSH dhe i kërkoi të zbatonte vendimin e KPP brenda 10 ditëve.
Skualifikimi për herë të dytë i Gjokës dhe anulimi i tenderit
Prej 9 korrikut kur KPP vendosi në favor të kompanisë Gjoka, ARRSH nuk e zbatoi vendimin e saj edhe kur një muaj më vonë vendimi i KPP u zbardh në faqen e saj.
Dokumente të publikuara nga Balkanweb, tregojnë se ARRSH nisi të verifikojë punimet e mëparshme të kompanisë Gjoka, e cila për të plotësuar kushtin e përvojës kishte paraqitur si të përfunduara tunelet në një tjetër projekt të sajin, atë në Rrugën e Arbrit.
Por pas inspektimit në muajin gusht të kësaj rruge, ARRSH vërejti se tunelet nuk ishin përfunduar. Me argumentin se Gjoka kishte paraqitur “të dhëna të rreme”, ARRSH iu referua nenit 47 të ligjit për prokurimet dhe kërkoi skualifikimin për herë të dytë të kësaj kompanie.
Ky nen thotë: “Autoriteti kontraktor skualifikon çdo kandidat ose ofertues, që paraqet të dhëna të rreme, për qëllime kualifikimi, në çdo kohë, deri në fazën e shpalljes së kontratës fituese. Autoriteti kontraktor për çdo skualifikim raporton në Agjencinë e Prokurimit Publik për qëllimet e parashikuara në nenin 13 pika 3 të këtij ligji.”
Sipas dokumenteve të Balkanweb, ARRSH ka kërkuar nisjen e hetimeve administrative dhe përjashtimin e kompanisë Gjoka nga tenderat publike.
Në të njëjtën datë kur ARRSH i kërkoi hetim administrativ APP-së, Ministria e Infrastrukturës bëri me dije se kishte vendosur ta anulonte tenderin.
Nëse nuk do të anulohej, tenderi do t’i kalonte sërish bashkimit të kompanive me Sulovën, si e vetmja ofertë e mbetur e vlefshme.
Qëndrimi i Ministrisë së Infrastrukturës
Më 12 shtator Ministrja Belinda Balluku tha se e anuloi tenderin e tunelit në rrugën Kardhiq-Delvinë “për projekte më emergjente”:
“Ministria ka të drejtë që t’i japë prioritet disa nga çështjeve emergjente që mund të ketë, dhe nuk ka lidhje ka fonde apo s’ka fonde. Këto janë prioritetet momentale që ka Ministria. Po flasim për shtyrje të procesit. Kjo shtyrje procesi vjen për shkak sepse ka një projekt tjetër i cili është më emergjent. Ju duhet ta kuptoni që ARRSH nuk bën vetëm rrugë të reja. Kemi ura, rrugë të cilat mund të kenë emergjenca dhe duhen mbuluar.”
Vendosja e “prioriteteve të tjera” do të thotë se 4,5 milionë eurot (560 milionë lekë), që ishin parashikuar për nisjen e punimeve të tunelit brenda këtij viti, do të përdoren diku tjetër.
Në mungesë të transparencës, është e paqartë se cilat janë çështjet emergjente, që detyruan qeverinë të anulojë tenderin, dhe se sa e justifikojnë ato anulimin.