Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka rekomanduar Bashkisë Tiranë pezullimin e vendimit të bashkisë për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe pritjen e shqyrtimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese.
Në rekomadimin dërguar nga kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, për kryebashkiakun Veliaj, më 14 maj theksohet:
“KLSH përpiqet që të ruaj dhe të parandalojë kryetarin e bashkisë dhe këshillin bashkiak të Tiranës nga veprimet dhe vendimmarrjet e pabazuara ligjërisht dhe mungesës së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, gjë që mund të sjellë pasoja të rënda financiare dhe sociale.”
KLSH paralajmëron bashkinë se në rast se shemb teatrin pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe më pas GJK vendos se shembja e teatrit është e paligjshme, atëherë:
“pasojat e veprimeve të zyrtarëve dhe institucioneve do të trajtohen nga ana e KLSH-së si dëm me pasoja të rënda për interesat ekonomike të shtetit dhe do të kërkohet dëmshpërblimi përkatës.”
Mbrëmjen e 14 majit, Këshilli Bashkiak publikoi vendimin e miratuar nga këshilltarët, edhe pse nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar as për mbledhje të Këshillit dhe për rrjedhojë për votim në datën 14.
Nuk dihet si është marrë vendim, pra në çfarë mënyrë është votuar dhe si është administruar vota dhe pse ky votim u bë 24 orë më herët se mbledhja e njoftuar e Këshillit.
Siç Exit News ka shpjeguar më parë këtu dhe këtu, ky vendim është marrë në shkelje flagrante të ligjeve.
Aktualisht për çështjen e Teatrit Kombëtar ka dy padi në Gjykatën Kushtetuese – të dyja nga presidenti Meta.
Padia e parë u bë në korrik 2019 kundër ligjit special Fusha.
Padia e dytë u bë në maj 2020 kundër vendimit të qeverisë për kalimin e truallit të Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë.