Ish-eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein ka shprehur publikisht mbështetjen për qendrimin në detyrë të qeverisë Kurti deri në përfundim të pandemisë së Covid-19.
Pas krizës, Fleckenstein mbështet sërish idenë e kryeministrit Kurti se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
Në një postim në Twitter, Fleckenstein shkruan:
“Jam i bindur: Kosova ka nevojë për këtë qeveri derisa të përfundojë COVID-19 dhe pastaj duhet të mbahen zgjedhjet. Kjo është e vetmja mënyrë për ta ruajtur kushtetutshmërinë e procesit dhe për ta siguruar Kosovën si shtet dhe entitet serioz që aspiron t’i bashkohet BE-së.”
Deklarata e ish-eurodeputetit vjen pas njoftimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës më 28 prill se ka siguruar 64 mandate nga 120, për të formuar qeverinë e re. Kreu i grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi njoftoi se LDK do të nënshkruajë marrëveshjet me partitë e koalicionit dhe më pas do të njoftojnë presidentin për formimin e qeverisë së re.
Koalicioni i LDK-së me shumë gjasa do të jetë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën për Kosovën, Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe pakicat.
Më 23 prill, LDK propozoi Avdullah Hotin si të mandatuarin e saj për të propozuar qeverinë e re të Kosovës.