Kolegji Zgjedhor rrëzoi dje kërkesën e Partisë së Unitetit Kombëtar (PKU) për çregjistrimin nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Tomor Shkreli, Ridvan Hado, Lindita Sinanaj, Artur Malaj dhe Shkëlqim Mustafa.
Në datën 13 qershor, PKU paraqiti kërkesën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për çrregjistrim si subjekt zgjedhor me arsyetimin se me daljen e dekretit të Presidentit për anullimin e zgjedhjeve, tashmë nuk mund të ketë proces zgjedhor, e për rrjedhojë nuk mund të garohet.
KQZ po në të njejtën ditë vendosi rrëzimin e kërkesës duke paraqitur një sërë argumentash.
KQZ u shpreh se nuk e njeh dekretin e Presidentit për anullimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Në vendim e saj KQZ u shpreh:
“Në bindjen e KQZ, ky dekret i dytë, i cili shfuqizon dekretin …‘Për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore më datë 30 qershor 2019’ është akt administrativ absolutisht i pavlefshëm…”
KQZ argumentoi gjithashtu se Kodi Zgjedhor nuk parashikon tërheqjen e partive dhe kandidatëve pas regjistrimit dhe publikimit të listës shumëemërore.
Po ashtu, KQZ u shpreh se çregjistrimi i partisë në këtë fazë do të sjellë kosto të madhe për procesin, veçanërisht pasi ka përfunduar procesi i shtypjes së fletëve të votimit, të cilat do të duhet të rishtypen, ose nëse nuk rishtypen do të krijojnë probleme të tjera në provesin e votimit.
Vendimi i KQZ-së u ankimua nga PUK në Kolegjin Zgjedhor, i cili dje bëri të njohur vendimin e tij për të lënë në fuqi vendimin e KQZ, por pa bërë publik arsytetimin e vendimit të cilin pritet ta botojë nesër.
Edhe pse Kolegji nuk u shpreh lidhur me dekretin e Presidentit, vendimi i tij u interpretua menjëherë nga propaganda qeveritare si rrëzim i dekretit të Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve.
Ky interpretim ka natyrë politike pasi ligjërisht është tërësisht i pabazë.
Objekt i padisë në Kolegjin Zgjedhor të PUK-së është kundërshtimi i një vendimi të KQZ për kërkesën e saj për t’u çregjistruar nga zgjedhjet dhe jo vlefshmëria apo jo e dekretit të Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve. Ndaj vendimi i Kolegjit nuk mund të ketë për objekt vlefshmërinë e dekretit.
Duhet theksuar se Kolegji Zgjedhor ka juridiksion shqyrtimin e mosmarrëveshjeve në lidhje me vendimet e KQZ-së dhe të asnjë institucioni tjetër, aq më pak të Presidentit. Neni 145 i Kodit Zgjedhor e përcakton qartë juridiksionin e Kolegjit Zgjedhor:
“Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshëm.”
Në thelb çdo lloj kundërshtie e aktit të Presidentit për anulimin e datës së zgjedhjeve ka të bëjë me kompetencën e tij për të anuluar një dekret të këtij lloji. Gjykimi nëse Presidenti e ka apo jo këtë kompetencë është çështje kushtetuese dhe jo administrative apo zgjedhore.
Por edhe sikur të pranonim që thelbi i çështjes në diskutim nuk është kompetenca kushtetuese e Presidentit, por ligjshmëria administrative e aktit të tij, sërish nuk është Kolegji Zgjedhor që mund të gjykojë një akt të tillë administrativ.
Një vendim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka marrë në shqyrtim një dekret të Presidentit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve—në rastin konkret kemi të bëjmë me anulim të datës—mund të shërbejë si referencë për rastin në diskutim.
Me Vendimin Nr. 150, të datës 16 qershor 2017, Gjykata Kushtetuese e ka cilësuar “akt individual administrativ” dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve, i cili duhet të shqyrtohet nga gjykatat administrative:
“[K]olegji konstaton se akti ndaj të cilit është ushtruar ankim, Dekreti i Presidentit të Republikës, i cili është një akt administrativ individual, pasi ka për objekt vetëm caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Për këtë arsye, Kolegji çmon se ky akt nuk hyn në juridiksionin e kësaj Gjykate, por në juridiksionin e gjykatave administrative…”
Në të njëjtin vendim, Gjykata Kushtetuese sërish thekson se “përputhja apo jo e dekretit të Presidentit të Republikës me dispozitat e Kodit Zgjedhor nuk është në juridiksionin e kësaj Gjykate, por në juridiksionin e gjykatave administrative apo, sipas rastit, të Kolegjit Zgjedhor…”
Për atë pak hapësirë që mund të interpretohet se lë Gjykata Kushtetuese për Kolegjin Zgjedhor është e nevojshme të vendoset nëse rasti në fjalë është një nga ato raste që GJK ka lënë të mundshme të shqyrtohet nga Kolegji Zgjedhor. Kjo gjë duhet të vlerësohet nga një gjykatë.
E vetmja gjë që mund të thuhet me siguri është se Kolegji Zgjedhor nuk mund të marrë në shqyrtim një çështje që nuk është vendim i KQZ-së, dhe dekreti i Presidentit mbetet të jetë kompetencë e gjykatave administrative.
Natyrisht, kompetencë e administratives është vetëm nëse kjo çështje nuk do të konsiderohet si çështje kushtetuese e kompetencave të Presidentit, vlerësim juridikisoni që mund ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese.