Kolegji Zgjedhor mori kompetencat e Gjykatës Kushtetuese kur vlerësoi kushtetueshmërinë e dekretit të Presidentit për anulimin e datës 30 qershor si datë zgjedhjesh vendore. Në vendimin e së hënës Kolegji shpalli të pavlefshëm dekretin e Presidentit duke rrëzuar kërkesën e Partisë së Unitetit Kombëtar (PUK). Në vendim Kolegji u shpreh:
Dekreti i dytë ka shkelur hapur dhe në mënyrë flagrante një dispozitë urdhëruese të ligjit e konkretisht, sipas parashikimeve të Kushtetutës, neni 92, germa gj, Presidenti “cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve”. Ndërkohë, sipas parashikimeve të Neneve 93 dhe 94 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete. Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të (neni 94). Pra, sa më sipër, Presidenti i Republikës ka kompetencë (vetëm) të caktojë datën e zgjedhjeve. Çdo veprim tjetër i tij, që ka për pasojë mosushtrimin e kësaj kompetence, është i pavlefshëm.
Por vendimi i marrë nga Kolegji ka dalë përtej asaj çfarë i është kërkuar dhe jashtë juridiksionit të tij.
Siç e kemi sqaruar në një artikull të mëparshëm objekti i padisë së paraqitur përpara Kolegjit ishte “shfuqizimi i vendimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) për refuzimin e çregjistrimit të PUK nga zgjedhjet e 30 qershorit”.
Sipas Kodit Zgjedhor, Neni 145 përcakton kompetencën materiale të Kolegjit Zgjedhor, pra çfarë mund të shqyrtojë ai:
Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshëm brenda afatit të përcaktuar në nenin 152 të këtij Kodi.”
Pra fare qartë Kolegji Zgjedhor e ka të kufizuar kompetencën e tij vetëm në shqyrtimin e ankimeve ndaj vendimeve të KQZ. Padia e ngritur ka patur vetëm një kërkesë: Kolegji të shqyrtojë nëse KQZ ka vepruar konform me Kodin Zgjedhor duke refuzuar të çregjistrimin e PUK nga zgjedhjet.
Por në vend që Kolegji t’i jepte përgjigjje vetëm kësaj kërkese ai zgjodhi t’i japë përgjigjje edhe një çështjeje tjetër, për të cilën nuk ishte pyetur, atë të kushtetueshmërisë ose jo të dekretit të Presidentit.
Sipas Nenit 6 të Kodit të Procedurës Civile përcaktohet se “Gjykata që gjykon mosmarrëveshjen duhet të shprehet mbi gjithçka që kërkohet dhe vetëm për atë që kërkohet.”
Për faktin se Kolegji Zgjedhor u shpreh edhe për diçka që nuk i ishte kërkuar, vendimi rezulton të jetë i jashtëligjshëm dhe i pavlefshëm.
Kolegji ka dhënë një vendim jashtë juridiksionit të tij. Kemi përmendur edhe më herët se dekreti i Presidentit për ndryshimin e datës së zgjedhjeve është akt administrativ, i cili mund të gjykohet nga Gjykatat Administrative dhe sipas rastit nga Koelgji Zgjedhor.
Për ato pak hapësira për të vendosur që mund të interpretohet se i lë Gjykata Kushtetuese Kolegjit, është e nevojshme që më parë të vendoset nëse rasti në fjalë është një nga ato dhe kjo gjë duhej të vlerësohej nga një gjykatë.
Por e sigurt është se Kolegji Zgjedhor nuk mund të marrë në shqyrtim një çështje, e cila nuk është vendim i KQZ-së, dhe dekreti i Presidentit, si një vendim jo i KQZ-ës, mbetet të jetë kompetencë e gjykatave administrative.
Në rastin në fjalë nuk jemi përpara një situate juridike të shqyrtuar më parë. Dekreti i Presidentit për të anulluar datën e zgjedhjeve ka shtruar një pikëpyetje tjetër: Nëse Presidenti ka apo jo të drejtë kushtetuese që ashtu siç cakton datë zgjedhjesh, ta tërheqë atë në një moment të dytë, po me një dekret tjetër.
Kësaj pyetje nuk mund t’i japin përgjigje gjykatat e zakonshme sepse shqyrtimin e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet pushteteve si dhe shqyrtimin e kushtetueshmërisë së akteve normative e bën vetëm Gjykata Kushtetuese.