Kombet e Bashkuara kanë akuzuar Shqipërinë bashkë me disa vende të tjera, se kanë dërguar armë në Republikën Demokratike të Kongos.
Zëdhënësi i kryeministrit Rama ka thënë se pretendimet janë “krejt të pavërteta”.
Ndaj Republikës së Kongos nuk ka sanksioneve, por ato shtete të cilat duan të dërgojnë armë, duhet të njoftojnë Kombet e Bashkuara, siç kërkohet nga një rezolutë e vitit 2004.
Një raport nga ekspertët e KB-së thotë se disa vende “kanë dorëzuar sasi të konsiderueshme armë, municioni, pajisje dhe automjete ushtarake” për ushtrinë e vendit. Po ashtu janë dërguar dhe helikopterë civilë të përshtatur për përdorim ushtarak.
Raporti është konfidencial, agjencia e lajmeve franceze AFP e ka parë raportin.
Vende të tjera të përmendura nga KB përfshijnë Rumaninë, Turqinë, Afrikën e Jugut, Izraelin, Kinën, Iranin, Mbretërinë e Bashkuar, Korenë e Veriut, Sudanin dhe Shtetet e Bashkuara.
“Gjatë dekadës së fundit, një pjesë e madhe e logjistikës ajrore të FARDC (ushtria) mbështetej në një flotë transporti e regjistruar me emra civilë të huaj që vepronin në kundërshtim me normat dhe rregullat e aviacionit civil ndërkombëtar dhe kombëtar,” shkruan raporti.
“Disa nga materialet e dorëzuara për FARDC u transferuan më vonë te grupet e armatosura në lindje” të Republikës së Kongos, vazhdon raporti.
KB paralajmëron se armët që dërgohen në Kongo po përfundojnë në duart e militantëve. Vendi është kapur në dhunë ushtarake për disa vite, rreth 1 mijë njerëz kanë vdekur, dhe 500 mijë të tjerë janë larguar nga vendi vetëm në muajt e fundit.