Shqipëria renditet e para në Europë për numrin e lartë të vrasjeve të grave nga partnerët. Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën (UNODC), në raportin e saj për vrasjet e grave dhe vajzave, shkruan se në Shqipëri niveli i vrasjeve të grave nga partnerët është 0,7 vrasje për 100 mijë gra.
Më pas renditet Islanda, me 0.6 vrasje për 100 mijë gra, Kroacia dhe Lituania me 0.5 vrasje për 100 mijë gra, Finlanda dhe Zvicra me 0.4 vrasje për 100 mijë gra.
Raporti fokusohet kryesisht tek vrasjet, që janë dhe forma më ekstreme e dhunës, dhe sipas të dhënave të vitit 2016, vrasjet e grave nga partnerët përbëjnë 58 për qind të të gjitha vrasjve të femrave.
Sipas UNODC, dhuna ndaj grave mbetet një problem serioz, veçanërisht në vendet e varfra, ku një numër i madh i rasteve të dhunës nuk arrin të denoncohet në institucionet ligjzbatuese.
Të dhënat e studiuara në raport janë të vitit 2016, ndërkohë që vetëm gjatë 11 muajve të vitit 2018, në Shqipëri janë vrarë 16 gra nga dhuna në familje, kryesisht nga partnerët e tyre.
Vetëm gjatë 2018-ës, 4 mijë urdhëra mbrojtjeje iu dhanë grave dhe vajzave nga gjykatat në gjithë vendin.
Dhuna në familje, në Shqipëri, vazhdon të jetë e përhapur në të gjitha shtresat e popullsisë. Sipas INSTAT dhe UNDP, rreth 53 për qind e grave (rreth 750 mijë gra) janë shprehur se kanë qenë viktima të dhunës në familje të paktën një herë në jetën e tyre.
Të dhënat tregojnë se viktimat e dhunës në Shqipëri përballen me mungesën e shërbimeve sociale dhe indiferencën e institucioneve publike. Shërbimet për familjen nga bashkitë dhe komuniteti, pothuaj nuk ofrohen fare pavarësisht se bashkitë e kanë për detyrë t’i ofrojnë këto shërbime.