KOMENT: BE-ja ka humbur çdo mjet ndikimi mbi Ramën

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
KOMENT: BE-ja ka humbur çdo mjet ndikimi mbi Ramën

Një i ri, me gjasa student, i rrethuar nga katër policë, që i gjuajnë në kokë dhe e tërheqin nga të gjitha anët. Në dorën e majtë ka një libër, Idiotin e Fjodor Dostojevskit. Rreth qafës ka të varur një aparat fotografik. Ai nuk i kundërpërgjigjet dhunës së policisë dhe e tërheqin zvarrë nëpër rrugë. Ai shmang rrëzimin në tokë, gjë që do t’i shkatërronte aparatin e tij. Ai shtrëngon Idiotin, me duart që i bëhen të bardha nga shtrëngimi. Ai e mban atë me duart lart.

Një tjetër djalë i ri, i shtrirë në tokë, i mbledhur i gjithi kruspull. Një polic me fytyrën të mbuluar me maskë të zezë, nga ato ku duken vetëm sytë, dhe pa asnjë shenjë identifikuese në uniformë, e godet në bark. Ai rrudh fytyrën në pritje të goditjes së radhës.

Këto dhe dhjetra imazhe të tjera të dhunës ekstreme të policies—natyrisht, në shkelje të rregullave të distancimit social—pushtuan ekranet e qytetarëve në shtëpi dhe në të gjithë botën, pas shkatërrimit antikushtetues, të paligjshëm dhe të dhunshëm të Teatrit Kombëtar, ku buldozerët e fadromat nisën shembjen teksa brenda ndërtesës kishte ende protestues, një kurban njerëzor që qeveria, mesa duket, ishte mëse e gatshme ta bënte.

Një mik më shkroi në Signal: “Është bërë fushë e lirë për të gjithë, tani i rrahin njerëz thjesht për argëtim.”

Një tjetër më dërgon një fotografi të këmbës së tij, të mavijosur, plotësisht të enjtur. Ai ishte arrestuar, ishte rrasur në një qeli të mbushur plot dhe i ishte mohuar trajtimi mjekësor. U ndjeva i lehtësuar kur mësova se pas disa orësh e lanë të lirë.

Kjo është Shqipëria, e cila tani ka hapur zyrtarisht negociatat me Bashkimin Europian.

Të gjithë e mbajmë mend propagandën që vinte nga kryeqytetet evropiane: Komisioni Evropian do të vihej nën fre nga Këshilli Evropian e vendet anëtare dhe  nuk do të kishte më “raporte përparimi” të zbukuruara, por përgjegjshmëri dhe anullim të negociatave nëse gjendja përkeqësohej; se procesi i pranimit duhet të përdoret për të shmangur qeverisjet e mëvonshme autoritare siç po shohim në Hungari, Poloni e Rumani.

Por të gjitha këto deklarime kanë rezoltuar boshe. BE ka qëndruar në krah të qeverisë në çdo shkelje të të drejtave themelore të njeriut në Shqipëri, në çdo shkelje të Kushtetutës së saj të reformuar, dhe ka heshtur.

Dy postimet në Twitter që dolën nga zyrat e Delegacionit të BE-së, flasin për “keqardhje” dhe “vetëpërmbajtje” të “palëve” të përfshira. Ndërsa nga ambasadat e tjera u lëshuan pohime me fjalë më të forta dhe Kryeministri kosovar Albin Kurti —vendi i tij gjithashtu viktimë e dobësisë, fjalëve me kuptime të papërcaktuara dhe neglizhencës—tha fjalë inkurajuese dhe shprese, në mediat sociale të ambasadorit të BE Luigi Soreca mbizotëroi heshtje varri.

As ai dhe asistentët e tij të komunikimit publik nuk u shqetësuan të shkruanin qoftë dhe një qortimin të vakët. Ndoshta ai e kishte pushim të dielën, kush e di.

Kjo do të thotë se Soreca e ka kuptuar tashmë të vërtetën: BE ka humbur të gjithë ndikimin e saj mbi qeverinë shqiptare. Tani që negociatat janë hapur zyrtarisht, atyre u ka ikur nga dora dhe karrota e fundit, ndërkohë që shkopin ka kohë që e kanë humbur.

Për Ramën nuk ka asnjë rëndësi që ka ende 15 kushte. Ai dhe gjithë të tjerët e dinë se ato nuk do të përmbushen dot në një të ardhme të afërt dhe se Komisioni Evropian, në një moment, thjesht do heqë dorë nga to dhe do të zhvillojë një lloj “konferencë para-negociuese” jozyrtare për ta ndihmuar Ramën me një mundësi tjetër për të ruajtur fasadën e “përparimit”.

Pranvera 2021, pak para zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, pa dyshim që do të jetë një moment i mirë për këtë.

Edhe Reforma në Drejtësi ka pushuar prej kohësh së qeni një “forcë e butë”. Në vend që të përdorë misionin EURALIUS për të kontrolluar prirjet e forta autokratike të qeverisë Rama, Komisioni Evropian ka braktisur mbikëqyrjen e tij dhe i ka lejuar Ramës ta përdorë këtë mision të ndihmës teknike si një Gjykatë Kushtetuese alternative—një grup “ndërkombëtarësh” jo-publik, pa trasparencë dhe që nuk i jep llogari askujt dhe për këtë arsye lehtësisht i menaxhueshëm.

Pa trysninë për hapjen e negociatave dhe Reformën në Drejtësi, çfarë tjetër mund të mbajë Komisioni Evropian mbi kokën e Ramës për ta bindur atë të mos dhunojë njerëz të pambrojtur në rrugë, duke i ekspozuar me dashje ata dhe forcat e tij policore ndaj një virusi vdekjeprurës? T’i japë disa milionë euro ndihmë lehtësuse nga katastrofat që thjesht do të kanalizohen tek Fusha shpk dhe tek Bjarke Ingels?

Vetëm një telefonatë tek Erdogani apo MBS mjafton për të gjetur para diku tjetër. Ose thjesht lëri fare paratë. Me thuajse të gjithë median tradicionale dhe sociale nën kontrollin e tij, Rama mund të bindë lehtësisht mbështetësit e tij se ai është udhëheqësi më i madh që nga Enver Hoxha, pse jo edhe më i madh se vetë Hoxha.

“Edhe unë bëj gabime,” pranoi ai në Twitter dy ditë më parë, përpara se të fyente njërin prej artistëve që mbrojnë teatrin, të cilin nuk e ka nështruar dot, qoftë dhe me rryshfete.

Pa asnjë kartë në dorë dhe duke mos patur asnjë rol direkt, BE-ja tashmë është e dënuar të jetë një kalimtare pasive, ndërsa sheh që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor është në rënie të lirë drejt kaosit: e paaftë për të kundërshtuar agjitacionin rus e serb në Mal të Zi, e paaftë për të mbetur e bashkuar rreth një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe humane për Kosovën; e paaftë për të mbrojtur Maqedoninë e Veriut kundër sjelljes prej të forti të Bullgarisë; e paaftë për të shmangur përçarjen e mëtejshme të Bosnjës; e paaftë për t’u vetëqeverisur, për t’u solidarizuar brenda vetes dhe e paaftë për të gjetur ide të reja për rinovimin e Bashkimit. E paaftë, e paaftë, thjesht e paaftë.

Të gjithë kemi dëshpërimisht nevojë për Idiotin e Dostojevskit.

5 komente

  1. hajrie 19 Maj, 2020 në 4:25 pm

    BE aplikon “rregullat” e instaluar ne shqiperi si nepotizmi njohjet ejt . Merrem me teper me fonde, menaxhim fondesh sesa te kene rol politik dhe duan stabilokraci jo demokraci te veshur nga paragjykime dhe nevleresime duke pasur nje vetvleresim te larte, ndaj dhe studiues nga bota e akademise e quajne the European Union Raj.

  2. Open Society 19 Maj, 2020 në 6:07 pm

    Problemi nuk është as BE e as SHBA. Problemi qëndron tek Shqiptarët.
    Nuk zunë mënd asnjëherë. Në fillim ishin Jugosllavët, pastaj Sovjetikët, pastaj Kinezët e Maos e tani kemi Europianët dhe Amerikanët si qytetarë global, kemi instaluar ambasadollekun në këtë shoqëri. Dhe jemi i vetmi komb në botë me këtë lloj ndjenje inferiorieti.
    Nese nuk do kishim pranuar ndërmjetës të huaj nuk do ishim në këtë situatë, ramaforma nuk do ishte miratuar dhe sot do kishim minimalisht Gjykatë Kushtetuese.

    Kemi kaluar në 6 pushtete: Legjslativ, Gjyqesor, Ekzekutiv, Policor, Mediatik(+OJQ & +OJF) dhe Ambasadat. Të 6 këto pushtete sot janë në shërbim të Ramës.

  3. . 20 Maj, 2020 në 9:54 am

    Ju simpatizantet e sorosit sikur keni lindur dje. Aq militant te thekur jeni.

  4. Paemer 20 Maj, 2020 në 10:17 am

    I ka ardhur koha per autonomi sorosianeve dhe socialisteve, ja arriten dites qe gnithe aktivizimi dge futja e hundeve ne cdo gje te conte ne legjitimitetin tiranise. Po prap sindromat jane te njejtat, kjo i nxjerr bllof.

  5. Paemer 20 Maj, 2020 në 10:20 am

    Pse junker drunker si kujton se e kapi ate vend pune ? I ka socializmi keto gjera. Vjedhjen e kthen ne normalitet. Imagjino sa spekulojne mbi realitetin e individeve me pas. Kjo shpjegon edhe pse BE e pranon nje perçares SHUME KONSISTENT si Rama. Lere ça bejne filma.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme