Koment: Marrja e mirëqënë se “komunizmi kishte anë pozitive dhe negative”

Nga Alice Taylor
Koment: Marrja e mirëqënë se “komunizmi kishte anë pozitive dhe negative”

Problemi me komentet e fundit të Luljeta Bozos është marrja si e mirëqënë nga shumë njerëz e deklaratës së saj.

Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste shkaktoi zemërim kohët e fundit kur gjatë një interviste në TV, u duk se lavdëroi disa elementë të regjimit komunist.

Si pjesë e një diskutimi për gati 50 vitet e komunizmit, ajo u pyet për diktatorin Enver Hoxha dhe ndikimin që ai kishte në vend.

Ajo u përgjigj se “po t’i vësh në balancë, per mua ka më shumë anë pozitive sesa negative“. Bozo shtoi se Shqipëria ishte një “diktaturë roletariati”, se ajo “zhvilloi Shqipërinë” dhe rriti prodhimin e saj industrial.

Kam dëgjuar shumë të thonë gjëra të ngjashme. Kam dëgjuar njerëz që thonë se të gjithë morën një arsimim, kishin qasje në kujdesin shëndetësor dhe askush nuk ishte pa punë. Kam dëgjuar njerëz të thonë “kishte pozitive dhe negative, të mira dhe të këqija“.

Dhe mbase për të privilegjuarit, kishte anë pozitive. Por a mundemi vërtet t’i vendosim këto mbi vrasjet dhe shkeljen masive dhe sistematike të të drejtave të njeriut?

Gjatë komunizmit, e gjithë ekonomia e vendit kontrollohej nga shteti. I gjithë prodhimi, bujqësia dhe industria u shtetëzuan dhe ndërmarrjet private ishin rreptësisht të ndaluara. Ndërsa kjo çoi në rritje ekonomike për disa kohë, drejt fundit të regjimit, sistemi filloi të shembet.

Nuk kishte ushqim të mjaftueshëm dhe njerëzit detyroheshin të rrinin në radhë për racionet e ushqimit.

Pasi ndërprenë marrëdhëniet me kinezët dhe sovjetikët, mungesat e gjithçkaje, nga pjesët e makinës te gruri dhe ushqimi i kafshëve, u përkeqësuan.

Një rrjet i sigurimit dhe informatorëve të tyre që arrin në një përqindje të madhe të popullsisë, i raportonin shtetit për familjen, miqtë dhe fqinjët e tyre.

Më kujtohet që një parukiere më tha se zbuloi se burri i saj kishte spiunuar mbi të dhe klientët e saj për dekada dhe nuk ia kishte idenë derisa ra komunizmi.

Disa spiunonin rrethin e tyre, të tjerë trillonin histori për të hequr fajin nga vetja. Të akuzuarit dërgoheshin në burgje dhe kampe internimi.

Një mik i imi, le ta quajmë Endri, më tregoi një plagë me armë zjarri në këmbë. Ai u dërgua për të punuar në minierë në moshën 13 vjeçare sepse një anëtar i largët i familjes kishte kryer një “krim” politik.

Pas shtatë vitesh punë, u la i lirë. Ai dhe një shok i tij pas lirimit u përpoqën të iknin në Greqi.

Rojet e kufirit e qëlluan shokun e tij prapa koke, ndërsa vraponte së bashku me të, plumbi i dytë kaloi drejt në këmbën e Endrit.

Sot, 30 vjet pasi regjimi ra, janë ende rreth 6000 njerëz që u ekzekutuan ose vdiqën në burgje, ende të zhdukur.

Familjet e tyre nuk e dinë se ku janë eshtrat e tyre dhe gërmimet për varret masive janë të  bllokuara në Prokurori prej më shumë se tre vitesh.

Nuk ka pasur falje, nuk ka asnjë përkujtim kombëtar ose vendor dhe asnjë ditë kombëtare përkujtimore.

Partia Socialiste, aktualisht në pushtet nuk ka dënuar krimet e paraardhësve të tyre.

Shqipëria nuk është përballur me të kaluarën e saj – dhe ndoshta ky fakt i bën komentet si këto, edhe nëse përmbajnë të vërteta, kaq të debatueshme.

Fakti që ka mijëra njerëz në këtë vend, që ende vuajnë pasojat e asaj kohe, do të thotë se çdo pretendim për “përfitime” të regjimit, është i papërshtatshëm.

Mbase kur Shqipëria të jetë marrë me traumën e saj kolektive, kur njerëzit të kenë gjetur eshtrat e të dashurve të tyre dhe kur shteti të ketë kërkuar falje për krimet e tij,  mund të fillojmë të zbërthejmë pozitivët dhe negative të historisë.

Teksa nuk dyshoj për përfitimet e arsimit, punësimit dhe kujdesit shëndetësor, unë i jap përparësi të drejtës për jetën.

Ndoshta mund të pyesnim familjet e atyre që humbën të dashurit e tyre, nëse ata do të preferonin një shkollim apo të ishin në gjendje të varrosnin eshtrat e tyre me dinjitet?

Apo ata që u torturuan dhe vuajtën traumat dekada më vonë, nëse do të preferonin një vend pune ose fundin e vuajtjeve të tyre?

Ndoshta mund t’iu japim zgjedhjen midis humbjes së shtëpive të etërve dhe jetesës ose marrjes së një kontrolli falas në spital.

Jam shumë i sigurt se cilën do të zgjidhnin.

Ajo që dua të them është se teksa disa mund të besojnë se kishte anë “pozitive” për komunizmin, derisa të jemi marrë me trashëgiminë dhe plagët e  anëve “negative”, është një fyerje të debatosh mbi to.

Shqipëria duhet të zbatojë një program gjithëpërfshirës të së vërtetës, kujtesës dhe përkujtimit. Të gjitha dokumentet dhe arkivat që përmbajnë të dhëna nga ajo kohë duhet të bëhen publike pa asnjë kufizim.

Librat shkollorë duhet të përfshijnë informacion të plotë mbi situatën që çoi në komunizëm, si ndikoi ai në shoqëri dhe çfarë ndodhi pasi ra.

Duhet të ketë një memorial kombëtar në një vend të shquar, një ditë përkujtimi, dhe një falje zyrtare dhe dënim nga qeveria dhe Partia Socialiste.

Kushdo që ka punuar në politikë, sigurim ose gjyqësor gjatë periudhës së komunizmit duhet të hiqet nga postet publike, sistemi ligjor, apo tjetër pozicion autoriteti.

Kushdo që ka të drejtë për kompensim duhet ta marrë atë dhe fusha e programit të kompensimit duhet të zgjerohet për të përfshirë të gjithë ata që ngrejnë një pretendim.

Hetimet për krimet e komunistëve duhet të fillojnë dhe të përfundojnë në mënyrë të shpejtë dhe efikase. Institucionet përkatëse duhet t’i japin përparësi kërkimit të personave të zhdukur, gërmimeve dhe identifikimit të viktimave.

Trupat duhet të kthehen në familje, dhe autorët duhet të identifikohen dhe të ndëshkohen.

Unë do të shkoja aq larg sa të thosha që çdo lavdërim i komunizmit ose Enver Hoxhës, përfshirë ngjarjet për të përkujtuar vdekjen e tij, duhet të ndalohet me ligj.

Kjo është vetëm maja e ajsbergut, por ato janë disa nga hapat që duhet të ndërmerren për të lejuar Shqipërinë të pajtohet me të kaluarën e saj dhe të ecë përpara me dinjitet.

Pavarësisht nëse komentet e saj janë nxjerr nga konteksti apo jo, për mua, është moralisht dhe etikisht e gabuar të vendosësh fjalën “pozitive” në një fjali që diskuton komunizmin, ndërkohë që kaq shumë po vuajnë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>