Koment: Pavioni shqiptar në Bienalen e Venecies dhe të jetuarit nën „talebanët“

Nga Gjergj Bakallbashi
Koment: Pavioni shqiptar në Bienalen e Venecies dhe të jetuarit nën „talebanët“

Shqiperia po prezantohet në Bienalen e Arkitektures në Venecia me një pavion që ka në
qendër të tij një film të para viteve 90, të ish-kinostudios Shqiperia Sot.

Në media ka patur shumë reagime për përfaqsimin me një film të kohës të komunizmit, – shumica negative. Unë vetë nuk jam shumë i shqetësuar nga tema e pavionit apo materialet e shfaqura aty. Para 90-ës ka qenë një periudhë komplekse, me të këqijat dhe të mirat e veta.

Për qëllimin e pavionit dhe temës të pergjithshme te bienales – kuratori Hashim Sarkis, ish-profesori im, koleg, tani dekan i fakultetit te arkitekturës në MIT, dhe pjesemarrës në pavionin e parë shqiptar në bienalet e arkitekturës, që unë realizova, të quajtur Ngjyrat e Arkitektures, ka shtruar pyetjen Si do të jetojmë së bashku?, para vitet 90 ofrojnë një këndvështrim te pasur se si mund të jetë jeta kolektive, gjithmonë me të mirat dhe të keqijat e saj.

Për më tepër, ky pavion është besnik ndaj strategjisë dhe vëmendjes që Ministria e Kulturës i
ka dhënë kohës të komunizmit, si një periudhë interesante për turistin e huaj, sidomos atë
që intrigohet nga ish “vendi më i izoluar në Europë i Luftës te Ftohtë, nën dorën e hekurt të
Enver Hoxhës“. Gjithçka deri këtu është e kuptueshme.

Për mua jo vetëm si arkitekt, kurator, por edhe qytetar, gjërat fillojne të bëhen të pakuptueshme kur dëgjoj që ne, shqiptarët, me të gjitha bashkështetësitë që na janë shtuar shqiptaro-amerikanë, italianë, turq, gjermanë, anglezë, neo-zelandezë, australianë, paskemi jetuar para viteve 90 nën një regjim taliban. As më shumë e as më pak po taliban.
Mundohem ta kuptoj këtë vlerësim të papritur historik dhe kur kujtoj shkatërrimin e objekteve të kultit, si Shën Gjergji ne Korcë, i cili u zëvendësua me një bibliotekë (jo ekzaktësisht një akt taliban) dyzohem.

Them me vete që zëvendësimi i objekteve në kohë është një proces që tejkalon caqet ideologjike të një periudhe. Edhe zëvendësimi i një ndërtese teatri me nje tjetër nuk përbën akt talibanesk…sado që eshte luajtur me këtë nocion kur u prish ndërtesa e vjetër e teatrit, per ti hapur rrugë ndërtimit të një teatri të ri.
Ajo që më ngatarron është paradoksi sesi një vend zgjedh të përfaqsohet me një produkt të një prej institucioneve më aktive të një periudhe, si ish-Kinostudio Shqiperia Sot, dhe njëkohësisht e quan atë periudhë „kohë e talibanëve“?
Për fatin tim, një shoku im i gjimnazit Sami Frashëri, Endri Çili, ka qenë protagonist në filma
te Kinostudios dhe ështe një nga ata njerëz që përtej ideologjisë, është demokrat në esencën e tij. Ka prona, është aktiv në jetën demokratike si komisioner në zgjedhje e nuk lakmon më post në qeveri, pasi ka qenë aty dhe mendon se gjërat duhet te ndryshojnë – pra, është edhe i informuar.

LEXO  Zhaklina Peto kallëzon në SPAK kryetaren e KED, Tushën dhe anëtaren Andoni

Ai ka luajtu te filmi „Fraktura“. Në atë film, një djalë i vogël dhe shokët e tiij duhet te gjejnë një zgjidhje për statujën – në mes te shatërvanit te parku Rinia, të cilës i kanë thyer dorën. Didaktik në ekstrem, filmi gjithësesi adreson, sipas Çilit „raportin e fëmijës me hapësirën publike“.
Filmi u realizua ne vitet 80 dhe ç’ka pasoi, në vitet 90, është e kunderta e asaj c’ka filmi donte t’iu mësonte fëmijëve të ’80-ës – të rriturve të ’90-ës.
Degradimi dhe uzurpimi i hapësirës publike dhe të perbashkëtës, e cila nisi atëherë dhe ende vazhdon, mund të konsiderohet më afër talibanizmit, të paorganizuar, se ai i thëni para viteve ’90.

Mendësia anarkike e zhvillimit urban, edhe nën petkun formal të „sipas koncepteve europiane“ që vazhdon edhe sot, kur ndërtimet bëhen me leje, por hapesira publike zaptohet dhe më keq se në kohën e kioskave, kjo i afrohet talibanizmit sepse tregon triumfin e anti-vlerës.
Këtë thotë Endri dhe mendoj se ndjesia e gjykimi i tij perkojnë me atë të shumë moshatarëve tanë, prindërve e gjyshërve, të cilët kanë njohur një Tiranë, që ndonëse e fjetur, të lejonte te merrje frymë e të mendoje, të luaje e të kishe mundësi të kishe hapësirën tënde, se „përqasja e sotshme ndaj hapësirës publike dhe të përbashkëtës është shumë më e dhunshme, barbare dhe e pakursyer se ajo para viteve 90“.

Bën sens që Pavioni Shqiptar në Bienalen e Venecies zgjedh të përfaqsohet me një produkt
të para 90-s. Nuk bën fare sens që atë kohë ta quajmë „kohën e talebanëve“, sado që të jetë
e goditur, oportune mediatikisht, efekti që mund të ketë patun në titujt rendës të mediave.

 

 

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme