Kryeministri Rama, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kancelaren gjermane Angela Merkel ka qënë në siklet të shpjegojë projektin Open Balkans në raport me Procesin e Berlinit.
Në fakt, Rama dukej në siklet edhe më herët, para se pyetjet e gazetarëve ta shtynin kancelaren Merkel që të sqaronte se Open Balkans praktikisht nuk ishte nismë e Procesit të Berlinit dhe se prioritet kishte Tregu i Përbashkët Rajonal.
Në fakt, në një moment Merkel u shpreh për bashkëpunimin në rajon: “Nëse ju dëshironi të takoheni, mund të takoheni.”
Qëndrimi i Ramë ishte i kuptueshëm, pasi ai ka bërë përpjekje të shumta që t’ia shiste projektin e Minishengenit si një projet që kishte bekimin e BE-së dhe veçanërisht Gjermanisë.
Exit ishte e para media muaji e shkuar që vuri në dukje se deklarata joformale e Gjermanisë që shprehu mbështetje për Tregun e Përbashkët Rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, nuk ishte një mbështetje e Open Balkans, por e kundërta.
Por, kryeministrin Rama, të cilin e kapi entuziazmi i rremë ose ra pre e këshillimit të dobët, e interpretoi si mbështetje të hapur. Ai e përdori atë për të tallur kritikët e tij.
Rama nuk ishte i vetmi, pasi shumica e mediave e interpretuan njëlloj, përfshirë edhe disa media opozitare. Ato do të ndryshonin qëndrim sapo u shfaqën argumentet e para mbi mbështetjen gjermane.
Në Tiranë u hap një debat nëse Gjermania po ofronte apo jo mbështetje mbi Open Balkans, i cili do të vazhdonte derisa ajo të dilte me një qëndrim zyrtar, që vështirë mund të ngatërrohej.
Gjermania kërkonte zbatimin e marrëveshjes mbi Tregun e Përbashkët Rajonal dhe e bënte të qartë se problemi me Minishengenin e riemërtuar ishte mungesa e gjithëpërfshirjes. Kjo e fundit ishte një fjalë e zbutur, për të mos thënë se projekti ishte përjashtues.
Tre nga gjashtë vendet e rajonit jo vetëm ishin jo të gatshme të bashkoheshin, por nuk jepnin shpresa se do të ndryshonin qëndrim në të ardhmen.
Qëndrimi i dhembi Ramës, i cili e shprehu pakënaqësinë në Forumin e Bledit, ku shënjestroi gjermanët për mungesën e humorit.
Një javë më vonë, zyrtar të BE-së në Bruksel, mes të cilëve i Dërguari i Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak e quajtën projektin përçarës.
Kjo ishte arsyeja përsa sapo kancelarja Merkel i dha fund dilemës, Rama nxitoi të ndërhynte për të marr nën kontroll narrativën.
Përkundër asaj çka Merkel sapo pohoi, ai deklaroi se Open Balkans ishte një pjellë e Procesit të Berlinit e jo në kontradiktë me të.
Ai e quajti “një mekanizëm për ta përshpejtuar Procesin e Berlinit” dhe pikëpyetjet mbi këtë çështje ishin konspiracion. Dhe nëse Procesi i Berlinit shërben për të përshpejtuar integrimin në BE, i bie që Open Balkans po përshpejton… përshpejtimin?!
Duke e bërë deklaratën në konferencën me Merkel, Rama kërkon ta bëj atë të besueshme.
Ai po i thotë publikut të pavëmendshëm se, nëse nuk do qëndronin gjërat ndryshe, Merkel do ta korrigjonte.
Por, gjuha diplomatike nuk funksionon në atë mënyrë: Merkel e dha mesazhin e saj dhe ai ishte i qartë.
Nuk ka konspiracion në qëndrimin e Gjermanisë dhe BE-së.
Merkel-it dhe BE-së nuk i ka shpëtuar fakti që dyshja Rama-Vuçiç, me një Zaev që duket i tepërt, nuk frymëzojnë bashkëpunim dhe më shumë se gjithçka, e përdorin Open Balkans në funksion të propagandës e politikës së brendshme.
Të parët duan t’i hedhin hi syve të evropianëve duke simuluar etërit themelues të BE-së, Schummann – Adenauer, të cilët lanë pas të shkuarën konfliktuale mes vendeve të tyre për të parë nga e ardhmja.
Është një mit që Rama kërkon ta imponojë pothuajse me forcë, si për t’i thënë Evropës se ajo e ka humbur busullën dhe se vlerat që ajo po humbet, po ringjallen në Ballkan. Në këtë kuadër mund të interpretohen të gjitha qortimet që Rama i ka bërë Bllokut, duke shfrytëzuar pranimin e strehimit të emigrantëve afgan në vend.
Apo, edhe së fundmi, në konferencën e së martës me Merkel, ku ai përsëriti se Evropa kishte ngelur peng i nacionalizmave, duke iu referuar vetos bullgare ndaj hapjes së negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut, që penalizoi edhe Shqipërinë.
Këto deklarata ndryshojnë nga ato të vetëm pak muajve më parë, kur Rama shprehej se integrimi i vendit do të ecte dorazi më atë të Maqedonisë së Veriut.
Problem po aq i madh me Open Balkans përbën mënyra se si Rama kërkon ta përdorë atë kundër BE-së, duke marr nën kontroll narrativën e procesit të integrimit. Open Balkans nuk kontrollohet nga BE-ja, ndërsa integrimi po. Edhe Tregu i Përbashkët Rajonal po ashtu.
Ndaj edhe takimet e shpeshtëzuara Rama-Vuçiç-Zaev, para dhe pas dështimit për hapjen e negociatave, nuk ishin një koiçidencë.
Metodologjia e re e zgjerimit të BE-së ofron pak “karrota” për qeverinë në të ardhmen, që u kuptua nga binjakëzimi me Maqedoninë e Veriut, duke i hequr kryeministrit një kartë të fortë propagandistike. Me Open Balkans, ai ishte i vendosur që ta rifitonte këtë kartë në formën e presonit ndaj BE-së.
Rama përsëriti para Merkel se vendet e Ballkanit nuk kanë përse të presin që të zhvillohen takime nga BE-ja apo të integrohen në BE, që të ndërtohen autostradat e infrastruktura digjitale.
Kështu, ai tentoi të shmang kriticizmin me referenca ndaj sukseseve të ardhshme të projekteve të përbashkëta me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, megjithse marrëveshja e parë, ajo mbrojtjen nga katastrofat natyrore, rezultoi një dështim.
Vizita e Merkel e detyroi Ramën të manovronte me këmbë e me duar, pasi u përball me gënjeshtrat e operacioneve tëveta propagandistike, me anë të të cilave ka kërkuar që Open Balkans të kthehej në një “fait accompli”.
Por, e vërteta e thjesht është se gjermanët, duke kuptuar se çfarë e motivon Ramën, nuk e mbështesin Open Balkans dhe Rama nuk është fare i kënaqur me këtë fakt.