Gjatë vizitës së shkurtër në Tiranë, Eurokomisioneri për Zgjerim Johannes Hahn mbësheti “rregullimin” ligjor të Ligjit për Statusin, që do ta vinte Shkollën e Magjistratëve nën kontrollin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD).
Gjatë takimit me Këshillin e Ministrave, Komisioneri Hahn deklaroi:
“Parlamenti duhet të amendojë ligjin për Statusin e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në mënyrë që Shkolla e Magjistraturës të rrisë nr e studentëve qe prej këtij viti. Është shumë e rëndësishme që edhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij të Gjyqësorit të emërohen. Është përgjegjësi e përbashkët e Qeverisë dhe e Opozitës që të zbatohet shpejt reforma në drejtësi. Do të ishte e çuditshme që si rezultat i një procesi të suksesshëm Vettingu, të haseni me një situatë ku të mos keni gjyqtarë kompetentë. Kështu që do të doja t’u bëja thirrje të gjitha palëve politike – sepse ju duhet shumicë e cilësuar në Parlament për të vendosur lidhur me këtë.”
Ironia e kësaj deklarate është e vështirë të mos vihet re, sepse një rezultat i tillë “i çuditshëm” është pak a shumë i garantuar nga mënyra me të cilën BE-ja ka mbështetur me gjithë zemër një sërë vendimesh të njëanshme të qeverisë Rama, të cilat jo vetëm kanë politizuar tërësisht pjesën e mbetur të institucioneve të drejtësisë, por gjithashtu e kanë bërë të pamundur ndonjë zgjidhje politike të mundshme.
Ndryshimet të cilave i referohet eurokomisioneri janë propozuar kohët e fundit nga qeveria Rama dhe përfshijnë dispozita që sigurojnë që Shkolla e Magjistraturës mund të rekrutojë studentë të rinj për vitin e ardhshëm.
Komisioneri Hahn tregoi se sa pak i njohin zyrtarët e BE-së në të vërtetë hollësitë dhe detajet e reformës në drejtësi që kaq shumë mbështesin, duke na lënë të dyshojmë se dhe që këshilla ligjore e ofruar nga BE përmes EURALIUS-it mund të vihet në pikëpyetje:
“Personalisht u habita, por edhe duhet ta kisha ditur që edhe për këtë, ju keni nevojë për shumicë të cilësuar, për të rritur numrin e studentëve në një institucion arsimor që duhet të ishte diçka shumë më e qartë. Megjithatë duhet të respektojmë caktimet ligjore.”
Me këtë deklaratë, Komisioneri tregoi qartë se nuk ishte i informuar për situatën aktuale ligjore. Sipas Ligjit të Statusit, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGj) dhe Këshilli i Lartë Prokurorial (KLP) përcaktojnë numrin e studentëve që do të vazhdojnë Shkollën e Magjistraturës dhe i caktojnë ato në postet e nevojshme pasi të diplomohen.
Ata mund të ndryshojnë numrin e studentëve pa pasur nevojë për një shumicë të cilësuar në Parlament. Shumica e cilësuar është e nevojshme për të hequr përkohësisht këtë kompetencë nga KLP dhe KLGj, sepse për shkak të vonesave në procesin e vetingut, vonesë e shkaktuar pjesërisht nga vetë qeveria, KLP dhe KLGj ende nuk janë formuar. Ky është një dallim që dueht përmendur.
Opozita i ka kundërshtuar këto ndryshime të propozuara nga qeveria jo sepse përcaktojnë numrin e studentëve që do të rekrutohen, por për shkak se këto ndryshime “përkohësisht” propozojnë transferimin e kompetencës për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj të diplomuar nga KLGj e KLP tek KLD-ja dhe Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm. Sipas opozitës, Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, i cili u zgjodh në mënyrë të njëanshme nga shumica socialiste, është jokushtetues, ndërsa KLD është e politizuar. Dhënia e pushtetit për të emëruar magjistratë të rinj do të dëmtonte gjithë procesin e reformës në drejtësi.
Amendimi i Ligjit të Statusit, i cili kërkon një shumicë të cilësuar prej 84 votash, ishte propozuar më herët dhe nga Delegacioni i BE në një memo të brendshme të EURALIUS-it në mars 2018:
“Rekrutimi i një numri të mjaftueshëm të magjistratëve në vit është thelbësor për të siguruar që radhët e magjistratëve mund të plotësohen pas shkarkimeve të shkaktuara nga verifikimi. […]
Duke qenë se rekrutimi i kandidatëve për trajnimin fillestar është një kompetencë e përbashkët ndërmjet [KLGj / KLP] dhe [Shkollës së Magjistraturës], për shkak të moszformimit të [KLGj / KLP] [Shkolla e Magjistraturës] nuk ka të drejtë të fillojë procesin e rekrutimit në vitin 2018. […]
Është e diskutueshme nëse një konsensus politik mund të arrihet dhe cili do të ishte ‘çmimi’ për të.”
Komisioneri Hahn, dhe Delegacioni i BE-së, duket se pretendojnë se nuk do të ketë fare çmim për të paguar për votat e opozitës. Por, siç tregon dhe shkresa, kjo është “e diskutueshme”.