Komisioneri për Zgjerim i BE-së Johannes Hahn, në një intervistë për revistën CorD, foli për procesin e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.
Ndryshe nga deklaratat pesimiste të Zëvendës Ndihmës Sekretar i SHBA-ve Hoyt Yee se Ballkani është shumë vite larg zhvillimit ekonomik të BE-së, komisionari Hahn shprehet se politikat e BE-së në rajon po japin rezultate pozitive. Gjithsesi Zoti Hahn thekson se vendet kandidate duhet të plotësojnë kriteret e vendosura nga BE në mënyrë që procesi i integrimit të vazhdojë përpara.
Disa nga deklaratat kryesore të Zotit Hahn janë:
“Procesi [i integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE] vazhdon me të njëjtën frymë dhe intensitet si më parë. Perspektiva e BE-së e rajonit të Ballkanit Perëndimor është e vendosur dhe e padiskutueshme. Kjo është edhe ajo që liderët e BE përsëritën në takimin e Këshillit Evropian në fillim të këtij viti, ku ata riafirmuan mbështetjen e tyre të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.”
“Vendet e zgjerimit duhet secili të përmbushin kriteret e vendosura për t’u bashkuar me BE. Kjo është vendimtare për besueshmërinë e politikës së zgjerimit, për të siguruar nxitje për vendet e zgjerimit për të ndjekur reforma të gjera dhe për të siguruar mbështetjen e qytetarëve të BE.”
“Politika e zgjerimit vazhdon të japë rezultate dhe reformat po ecin përpara në shumicën e vendeve, megjithëse me shpejtësi të ndryshme.”
“Komisioni Evropian do të vazhdojë të përqëndrojë përpjekjet në sundimin e ligjit, duke përfshirë sigurinë, të drejtat themelore, institucionet demokratike dhe reformën e administratës publike, si dhe zhvillimin ekonomik dhe konkurrencën.”