Komisioneri Hahn shpall divorcin total nga realiteti

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Komisioneri Hahn shpall divorcin total nga realiteti

Në një konferencë për shtyp të mbajtur së bashku me kryeministrin Edi Rama përpara se të hapnin Takimin Ditët e Medias, Komisioneri për Zgjerim i BE-së Johannes Hahn foli për përparimin e Shqipërisë në rrugën drejt hapjes së negociatave për anëtarësim dhe për nevojën për të komunikuar rezultatet e arritura.

Është me vlerë t’i hidhet një vështrim i kujdesshëm fjalimit të Hahn, për të kuptuar se si është e mundur që BE vazhdon të mbështesë një qeveri, e cila sipas të gjithë treguesve—më të fundit propozimet legjislative dhe dekretet—po shkon drejt konsolidimit të pushtetit në duart e Kryeministrit.

Kur flasim për të tërë procesin e negociatave, çdo gjë mbi të cilën ai mbështetet është i bazuar në meritë. Pastaj, kjo meritë bazohet në fakte, dhe ne mbështetemi vetëm në fakte dhe jo në thashetheme, jo në akuza. Vlerësimi ynë është i bazuar në prova, në fakte, në realitet, dhe kjo është ajo që ka vlerë. Por kjo është gjithashtu edhe diçka e cila duhet të komunikohet. Është mirë që kemi këtë realitet, faktet në letër, por është njësoj e rëndësishme t’u drejtohemi njerëzve dhe t’u komunikojmë këtë përparim që ka bërë vendi.

Është interesante që Hahn vendosi ta nisë fjalimin e tij duke vënë në dukje dallimin mes “thashethemeve” e “akuzave” dhe “fakteve” e “realitetit”. Në politikë, dallimi mes këtyre të dyjave, fatkeqësisht, shpesh bëhet nga ata që i artikulojnë këto “thashetheme” dhe “fakte”. Diferenca mes tyre vendoset kryesisht nga çështje të pushtetit dhe jo të vërtetës.

Në Shqipëri, mendohet se opozita flet gjithmonë me “thashetheme” ndërsa Kryeministri mendon se ai gjithmonë merret me “fakte”.

Në fakt, shpesh duket se Rama e sheh veten si burimin e vetëm të së vërtetës, dhe nëse Hahn dhe Ambasadorja Vlahutin e besojnë atë, “faktet” në Progres Raportin e BE-së do të jenë dukshëm shumë më të ndryshëm se faktet që lexohen në faqet e propozimeve ligjore, në qindra faqet e lajmërimeve të prokurimeve publike, apo në raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Me të vërtetë, duket sikur  “realiteti” i Hahnit është i njejtë më “realitetin” e Ramës, sepse ai vazhdon:

Unë po përpiqem ta bëj këtë [komunikimin e përparimeve të bëra], kryeministri, anëtarët e tjerë të qeverisë po përpiqen ta bëjnë këtë, por unë mendoj se të gjithë ne mund të bëjmë më shumë se sa kaq. Sepse, në mënyrë të veçantë, ka një histori që ne të gjithë mund ta tregojmë si përparim, si përballje e problemit, kur bëhet fjalë për luftën kundër kultivimit të drogës dhe trafikimit të drogës, po edhe kur bëhet fjalë për uljen e ndjeshme të numrit të azil-kërkuesve në Evropë, e cila është gjithashtu një arritje e madhe, dhe është e rëndësishme të ndryshojmë disa deficite në reputacion, të cilat janë ende aty.

Komisioneri i BE-së Hahn flet këtu për “deficite në reputacion” pa asnjë ironi, e cila—siç do shohim më poshtë—është ruajtur për më vonë. Ne jemi në një moment kur të paktën një ish-ministër është i përfshirë drejtpërdrejt në trafikimin e drogës. Ne jemi në një moment ku disa nga vendet e BE-së përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Italinë, Greqinë dhe Holandën në mënyrë të qendrueshme kanë ngritur alarmin për rritjen e rëndësishme të krimit të organizuar shqiptar pas vitit 2013.

Për të qënë të qartë: ti quash këto çështje “deficite në reputacion” është, në rastin më të mirë, një thashethem. Nëse i thërrasim ato ashtu siç ato janë, pikërisht si arritje të natyrshme të politikës qeverisëse të Edi Ramës (e mund të shtojmë, zgjedhje personale), jemi duke pohuar një fakt.

Hahn vazhdon:

Një nga arsyet kryesore për të marrë rekomandim pozitiv është procesi i famshëm i vetingut, dhe kjo është një gjë e cila sapo ka filluar dhe unë pres rezultatet e para në fund të këtij viti. Bordi Ndërkombëtar i Monitorimit po punon, me ekspertë nga e gjithë bota […]. Rezultatet pozitive nuk do të mungojnë.

Gjithashtu, është edhe progresi në të famshmet pesë prioritete kyçe, sepse kjo mbetet e rëndësishme, për të konsoliduar arritjet e deritanishme dhe për të vazhduar përpara.

Nga pikëpamja retorike, përdorimi këtu i fjalës “i famshëm” është në të vërtetë një formë ironie. Eshtë ironike, sepse të dyja, si reforma në drejtësi edhe pesë prioritet kyçe, janë përsëritur vazhdimisht vetëm nga një pjesë e përfaqësuesve të BE-së. Në mënyrë të veçantë, Komisioni Evropian dhe përfaqësuesja e tij Ambasadorja Romana Vlahutin, vetëm kohët e fundit mezi thanë një fjalë mbi këto pesë prioritete, për të cilat këmbënguli Parlamenti Evropian në muajin shkurt.

Duke i quajtur të dyja të “famshme”, duke ironizuar kërkesat shumë serioze të vendosura nga Parlamenti Evropian, Hahn nxori në pah ndryshimin që ekziston mes Parlamentit dhe Komisionit: Komisioni, në veçanti Drejtoria e Përgjithshme (DG) e drejtuar nga Hahn, është sigurisht i interesuar në zgjerimin e Bashkimit Europian; pa zgjerimin e BE-së nuk do të ishte as DG e tij dhe as pozicioni i tij.

Parlamenti Evropian, nga ana tjetër, është dëshmitar i përditshëm për mungesën e demokracisë së brendshme në BE dhe ka qënë më shumë kritik për përparimin e Ballkanit perëndimor—sepse puna e europarlamentarëve nuk varet nga procesi i zgjerimit.

Vini re se si Hahn, njësoj si Vlahutini, nuk përmendi pesë prioritetet kyçe përpara shtypit shqiptar, ndaj më lëjoni ta bëj unë për të: lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar, reforma në drejtësi, reforma administrative, respektimi i të drejtave themelore të njeriut.

Është një fakt se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar tani do të kryhet nga Task-Forca, e cila në mënyrë antikushtetuese ka krijuar një kërcënim serioz ndaj shtetit të së drejtës.

Është një fakt se reforma në drejtësi i ka krijuar insititucionet e vetingut, të cilat në të vërtetë janë funksionale, por shumë institucione të tjera të rëndësishme vazhdojnë të mos ekzistojnë: Kolegji i Lartë i Gjyqësorit dhe i Prokurorisë, Byroja Kombëtare e Hetimit.

Është një fakt se reforma administrative e Kryeministrit Rama ka çuar në pushimet në masë në disa nivele të qeverisjes pa ndjekur asnjë procedure të duhur ligjore. Kjo reformë ka krijuar, gjithashtu, me paratë publike dhe përtej çdo standarti ligjor Agjensinë e Bashkëqeverisjes.

Dhe është një fakt se të drejtat e pronës së qytetarëve të thjeshtë dhe të minoriteteve janë shkelur në mënyrë të vazhdueshme.

Johannes Hahn, këto janë dhe do të mbeten realitete shqiptare dhe jo akuza, edhe nëse Progres Raporti juaj nuk do të përfshijë asnjërën prej tyre.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>