Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut “janë gati për të çelur negociatat me BE-në, por duhet të bindim edhe shtetet anëtare”. Kështu tha Komisioneri i ri për Zgjerim Oliver Varhelyi, në një intervistë për gazetaren Ilva Tare.
Komisioneri shpjegoi se BE po punon për një plan të ri të bazuar në “tri shtylla me modalitete të reja për sa u përket negociatave të zgjerimit dhe një plan për të çelur negociata me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë përpara samitit të Zagrebit, që do të jetë në maj”.
Oliver Varhelyi tha se me ndryshimet e reja, nuk ka anëtarësim automatik dhe nëse vendet nuk përparojnë procesi do të kthehet pas:
“Procesi mund të kthehet mbrapsht, pasi nuk ka anëtarësim automatik pasi në fund të gjitha shtetet anëtare duhet të bien dakord që ta lejojnë një vend të hyjë në BE. Në rast se ka mungesë ecurie, përparimi, ose bëhen hapa pas, edhe ne duhet të kemi mundësinë për ta reflektuar këtë gjë, ashtu siç duhet në negociatat para hyrjes në BE”.
Komisioneri përshëndeti marrëveshjen opozitë-qeveri të arritur para pak ditësh dhe u shpreh se po punon “me të gjitha partitë politike, qoftë brenda dhe jashtë kuvendit, në mënyrë që të kemi një marrëveshje të përbashkët kombëtare për të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me anëtarësimin në BE”.
Gjithashtu Varhelyi shprehu mbështetjen e tij për minishengenin, duke i bërë thirrje edhe vendeve të tjera të Ballkanit të marrin pjesë në këtë nisëm.