
Komisioneri Publik ankimoi të enjten vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në lidhje me konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Apelit në Vlorë Sokol Ngresit. Ai arriti në përfundimin e Ngresi nuk ka nivel të besueshëm për t’u konfirmuar në detyrë.
Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të ndryshojë vendimin e KPK dhe të vendosë shkarkimin nga detyra të Sokol Ngresit.
KPK ka konfirmuar në detyrë më 11 dhjetor 2020, gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Vlorës Sokol Ngresi.
Gjatë hetimit KPK konstatoi probleme me pasurinë e gjyqtarit, që lidheshin me pamundësi financiare për dy këste kredie për financimin e një apartamenti në qytetin bregdetar të Vlorës.
Sokol Ngresi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në fillim të viteve 2000 dhe e ushtron funksionin si gjyqtar i Gjykatës së Apelit Vlorë prej vitit 2005. Në vitin 2014, ai u dekretua nga presidenti Bujar Nishani si anëtar i Gjykatës së Lartë, por ky vendim nuk mori pëlqimin e mazhorancës në Kuvend.