Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për ndërprerjen e procesit të vetingut ndaj ish gjyqtarit Ibrahim Hoxha.
Në një njoftim në faqen zyrtare, KP shkruan se ky vendim është zbatim i gabuar i ligjit dhe kërkon nga KPA një interpretim të bazës ligjore mbi të cilën është marrë ai.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ndërpreu procesin e vetingut për gjyqtarin e Tiranës, Ibrahim Hoxha pasi është shkarkuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Hoxha është i dënuar për korrupsion nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 2 vjet burg në 2017. Ai u akuzua se kishte përfituar 600 mijë lekë rryshfet për një vendim gjyqësor, ndërsa djali i tij u dënua për moskallëzim krimi.
Në dhjetor 2013, ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço i kërkoi ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, KLD shkarkimin e Hoxhës nga detyra, për shkak të një vendimi të dhënë prej tij për moslejimin e ekstradimit drejt Italisë të Paro Laçit, një ish-aksioner i skuadrës së futbollit partizani, i kërkuar nga drejtësia italiane.