Komisioneri Publik ka kërkuar shkarkimin e gjyqtarit Genti Shala, i konfirmuar në detyrë në 4 gusht 2020 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Komisioneri Publik ka marrë rekomandim nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të ankimuar vendimin për Shalën.
KPK konfirmoi në detyrë, në 4 gusht, gjyqtarin e Apelit Tiranë, Genti Shala. Vendimi i u mor nga Firdes Shuli, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici.
Gjatë hetimit administrativ, KPK gjeti se gjyqtari kishte disa pasaktësi në deklarimin e pasurisë ndër vite, veçanërisht për blerjen e një aparatamenti.
Por pas shpjegimeve nga gjyqtari, KPK vendosi të konfirmonte në detyrë gjyqtarin.
Po ashtu, KPK vendosi që të dërgojë për inspektim tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) një çështje të vitit 2017, gjykuar nga Shala në Gjykatën e Apelit Tiranë në vitin 2017.
Genti Shala ka nisur punën si gjyqtar në vitin 1999, në Gjyktën e Shkodrës. Në periudhën 2006-2008, ai ka qenë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Më pas në vitin 2010, Shala u emërua në Gjykatën e Apelit Tiranë, post të cilin vazhdon ta mbajë dhe sot.